Pandemia dhe pensionet – mijëra vetë nuk mundën t’i tërhiqnin

Pandemia dhe pensionet – mijëra vetë nuk mundën t’i tërhiqnin

Eurostat: Paga minimale në Shqipëri, më e ulëta në rajon dhe BE
Studimi ILO/ 36.5 % e të rinjëve shqiptarë janë të papunë
Vaji, mielli dhe cigarja tani kushtojnë më shtrenjtë

Në pandemi dhe pa të ardhura. Ky ka qenë fati i shumë pensionistëve,  që gjatë muajve të vështirë nuk arritën që të mernin as pensionin e tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se me mijëra pensionistë mbetën pa të ardhura gjatë pandemisë.

Në një auditim të këtij institucioni, ku merret në analizë Fondi Rezervë i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nënvizohet se përdorimi i tij gjatë kohës së pandemisë, edhe pse pati një rënie të të ardhurave, nuk u bë.

Kjo pasi diferenca u mbulua nga qeveria me një rritje transferimesh prej 7.77 miliardë lekë. Por edhe pse fondet ishin në dispozicion, kufizimet e lëvizjes e bënë të pamundur marrjen e pensionit nga të gjithë. “Një numër i lartë i pensionistëve nuk kanë mundur të tërheqin pensionin e tyre, ku gjatë muajit mars konstatohen 174,890 përfitime të pa tërhequra, gjatë muajit prill 162,450 përfitime të pa tërhequra dhe gjatë muajit maj 160,450 përfitime të pa tërhequra.

E përkthyer në vlerë monetare, gjatë muajit mars ka pasur 1,317,188,590 lekë përfitime të pa tërhequra, gjatë muajit prill ka pasur 932,395,235 lekë përfitime të pa tërhequra dhe gjatë muajit maj 794,021,886 lekë përfitime të pa tërhequra.

Edhe pse qeveria përmes një akti normativ vendosi dërgimin në shtëpi të pensioneve, duke shmangur kështu radhët në sportele, ata që jetonin në zona të largëta apo në vende ku nuk ka një sistem adresash, mbetën pa përfitime” thuhet në raportin e auditimit.

Një tjetër aspekt që sjell KLSH si problematikë është ajo e lidhjes së pensioneve të reja, që u bë e vështirë gjatë periudhës së pandemisë. Kështu në muajt e izolimit, për shkak të mbylljes së Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, një pjesë e madhe e pensionistëve nuk kanë mundur të lidhin pensionin e tyre.

“Edhe pse aplikuesit për pension u njoftuan që dokumentacionin ta dorëzojnë nëpërmjet postës, kjo shkaktoi vonesa të tej zgjatura të lidhjes së pensioneve pasi në shumicën e rasteve mungojnë dokumente dhe shkëmbimi i komunikimit nëpërmjet postës zgjat në kohë. Si rrjedhojë, rreth 50 për qind e individëve që do të aplikonin për pension të ri, nuk kanë aplikuar dot, duke i lënë gjatë kësaj periudhe totalisht pa të ardhura. Kjo problematikë, rrjedh nga procesi i cunguar i dixhitalizimit të arkivës qendrore të ISSH, ku për periudhën 1994-2011 dokumentet e vjetërsisë (regjistra, libra page, bordero, listë-pagesa) nuk janë të dixhitalizuara dhe për verifikimin e viteve të punës gjatë kësaj periudhe duhet të bëhet verifikimi fizik i cili është shumë burokratik” nënvizon auditimi.

Duke marrë në analizë indeksimin e bërë për pensionet raporti del në përfundimin se ai ishte më i ulët sesa rritja e çmimeve dhe efekti tek jetesa e pensionistëve ka qenë i papërfillshëm. Ndryshe nga vendet e rajonit nuk zbatoi ndonjë plan për ndihmë financiare për përballimin e kësaj situate nga pensionistët.

“Problematikat e shumta të pensionistëve gjatë periudhës së pandemisë, reflektohen edhe nëpërmjet ankesave të bëra, ku vetëm në 7-mujorin e këtij viti janë bërë rreth 18 mijë ankesa, dhe një pjesë e tyre ende nuk janë shqyrtuar” thuhet në dokumentin e KLSH./ N.Maho/MONITOR

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0