Shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri” në qytetin e Korçës ishte prej vitesh pasqyra tipike e segregimit në arsim –të gjithë nxënësit e kësaj shkolle i përkisnin komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në vitin 2017.
Falë një padie të ngritur në Gjykatën e Strasburgut nga Qendra Europiane për të Drejtat Rome, raportet në këtë shkollë u zbutën në vitin 2020. Megjithatë, diskriminimi është i vështirë për t’u çrrënjosur.
“Frekuentimi nga fëmijët e maxhorancës ka qenë shumë problematik,” thotë Etleva Tare, aktiviste nga qyteti i Korçës. “Shumë prindër nuk donin t’i sillnin fëmijët e tyre në këtë shkollë, pikërisht për shkak të pranisë së fëmijëve romë dhe egjiptianë,” shtoi ajo.
Shkolla “Naim Frashëri” nuk është rasti i vetëm i segregimit të fëmijëve romë dhe egjiptianë në arsim, ndonëse legjislacioni shqiptar e ndalon kategorikisht diskriminimin për shkak të racës apo etnisë.
Të dhënat e siguruara nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe aktivistët e komuniteteve Rome dhe Egjiptiane tregojnë se përveç Korçës, një fenomen i tillë shtrihet edhe në shkollën “Liria” në qytetin e Shkodrës si dhe në shkollat ‘Ptoleme Xhuvani’, ‘Sulë Misiri’ ‘Abdyl Parolloi’ dhe ‘Hamit Mullisi’ në qytetin e Elbasanit.

Ervis Cota, Drejtues egzekutiv i Organizatës “LRER”
Ervis Çota, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Rinore Rome dhe Egjiptiane vëren me shqetësim se tendenca e segregimit në këto shkolla është drejt përkeqësimit.
“Largimi i nxënësve të “maxhorancës” po kthehet një fenomen në rritje, nga viti në vit, pasi prindërit nuk preferojnë që fëmijët e tyre të mësojnë bashkë me nxënësit e minoritetit rom dhe egjiptian,” tha Çota.
“Ata i ç’regjistrojnë fëmijët e tyre dhe i transferojnë në shkolla të tjera, shpeshherë edhe me udhëzimin dhe ndihmën e mësuesve apo drejtuesve të shkollave,” shtoi ai.
E pyetur nga Informim.al, Ministria e Arsimit tha se kishte ndërmarrë një sërë masash për shmangien e segregimit në shkollën “Naim Frashëri” në Korçë si dhe në shkollën “Liria” në qytetin e Shkodrës.
Ministria e Arsimit fajësoi përqendrimin e madh të komunitetit Rom dhe Egjiptian në afërsi të shkollave në Elbasan si shkak për segregimin.
“Shkolla “Ptoleme Xhuvani” ndodhet në një zonë të banuar historikisht nga pakicat rome dhe egjiptiane si dhe shkolla “Sulë Misiri”…Segregimi në shkollat e Elbasanit vjen si pasojë e përqendrimit të madh të komunitetit rom dhe egjiptian afër tyre,” tha Ministria pa ofruar zgjidhje.
Diskriminimi i gjithëpërhapur
Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2020, ndalon diskriminimin në arsim për shkak të racës apo përkatësisë etnike dhe garanton të drejtën e personave për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë si dhe për mos u diskriminuar padrejtësisht.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda thotë se shkolla duhet të jetë një ambient komunitar, që duhet të reflektojë komunitetet që ka shoqëria.

Foto ilustruese, Robert Gajda Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi
“Në shkolla ku ka përqëndrim më të madh vetëm të fëmijëve romë dhe egjiptianë, është e pamundur që të reflektohet shoqëria në të cilën ne jetojmë, megjithë shumëllojshmërinë e saj,” tha Gajda.
“Nga ana tjetër, arsimi i veçuar nuk ndihmon dhe shkollat e tjera që nuk kanë pastaj fëmijët romë dhe egjiptianë, sepse dhe atje fëmijët nuk mësohen të jetojnë në një komunitet..,” shtoi ai.
Përveç zbatimit të ligjit, komisioneri Gajda thekson se bashkëjetesa në moshë të vogël shmang në të ardhmen përceptimet negative apo diskriminimin në shoqëri.
Megjithatë, prindër të nxënësve nga komunitetet Rome dhe Egjiptiane ankohen jo vetëm për pabarazinë, por edhe për diskriminimin e gjithëpërhapur.
Fatmir Zyberi, baba i katër fëmijëve dhe banor i rrugës “Jorgo Panajoti” në Yzberisht është i shqetësuar se fëmijët e tij marrin shumë pak vëmendje nga mësuesit dhe shpeshherë u duhet të durojnë ngacmime apo sharje. Zyberi shtoi gjithashtu se edhe kur nuk i ndajnë fizikisht në klasa, fëmijët romë i vendosin gjithmonë në bankat e fundit të klasës.
“Njëri nga djemtë e mi e ka përsëritur dy herë klasën e parë për shkak të rezultateve të dobëta në mësime. Edhe pse tani është në klasën e tretë, ende nuk e njeh mirë alfabetin,” tha Zyberi, i shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tij.
“Unë si prind mendoj se nuk punohet shumë me fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian. Sidomos në kohë Covidi,” shtoi ai, ndërsa përmendi raste neglizhence dhe ngacmimesh nga ana e mësuesve.
Fjonilda Brahja, nënë e tre fëmijëve që studiojnë në shkollën “Sulë Misiri” në qytetin e Elbasanit thotë problem nuk është stafi pedagogjik, por nxënësit e tjerë.
“Sa herë fëmijët zihen, fëmijët e “maxhorancës” i quajnë fëmijët tanë gabelë dhe unë ndihem e pakënaqur jo vetëm me kushtet e këqija të shkollës, por dhe nga termat e përdorura. Gjithashtu prindërit e fëmijëve të tjerë duan t’i largojnë nga shkolla fëmijët e tyre, sepse nuk duan të mësojnë bashkë me fëmijët tanë,” tha Brahja.
Prindërit denoncojnë gjithashtu kushtet e këqija në shkollat ku mësojnë fëmijët e tyre, ndërsa theksojnë se ata stepen të ankohen, pasi kjo mund t’a rëndojë edhe më tej situatën e fëmijëve të tyre.
Arjana, nëna e një nxënësi në shkollën ”Ptoleme Xhuvani” në Elbasan thotë se djali i saj studion në një klasë pa ngrohje dhe energji elektrike, ndërsa mësuesja e lë gjithmonë në bankë të fundit. Ajo tha gjithashtu se kur u ankua te drejtoresha e shkollës, djali i saj ‘u kërcënua’ në klasë.
“Çdo herë që vinte djali bashkë me fëmijët, ankoheshin se kishin shumë ftohtë dhe se nuk mundeshin më të qëndroni aty. Prindërit e tjerë ankoheshin, por nuk përballeshin me mësuesit sepse kishin frikë se këta të fundit i ngelnin,” shtoi ajo.
Beteja kundër segregimit
Pas betejës ligjore për shkollën “Naim Frashëri” në Korçë, Qendra Europiane për të Drejtat Rome, ERRC iu drejtua në shtator 2018 Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi edhe për shkollën “Liria” në qytetin e Shkodrës.
“Shkolla 9-vjeçare “Liria” është një shkollë e segreguar kryesisht me nxënës nga minoriteti egjiptian dhe ai rom dhe vetëm me një numër të kufizuar nxënësish jo romë/egjiptianë,” citohet Qendra Europiane për të Drejtat Rome në ankesë.
“…institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë masat e mjaftueshme për të luftuar diskriminimin nëpër institucionet mësimore,” shton ERRC.
Në maj 2019, Komisioneri konstatoi diskriminim në formën e segregimit në shkollën 9-vjeçare “Liria” në qytetin e Shkodrës dhe kërkoi nga drejtoria arsimore marrjen e masave për shmangien e kësaj situate.
Ministria e Arsimit i tha Informim.al se pas vendimit të Komisionerit, u hartuan një sërë masash për shmangien e segregimit nga drejtoria e shkollës dhe Zyra Vendore Arsimore e Shkodrës.
“…drejtoria e shkollës dhe Zyra Vendore Arsimore Shkodër hartuan plan masash për shmangien e segregimit në këtë shkollë duke identifikuar fëmijët e zonës që mbulon shkolla…; duke informuar prindërit e zonës mbi segregimin dhe integrimin; duke hartuar listën emërore të fëmijëve në moshë shkollore që i përkasin kësaj zone dhe duke regjistruar nxënësit romë dhe egjiptianë etj. sipas zonës, vendbanimit dhe zgjedhjes së lirë të prindërve për institucionin arsimor,”tha Ministria e Arsimit.
Por Komisioneri Gajda thotë se situata është e komplikuar dhe masat e ndërmarra kanë qenë të pamjaftueshme.
“Puna e masave është e komplikuar. Nuk është e thjeshtë se nëse do merreshin masa drastike do të kërkohej një lëvizje e detyruar e fëmijëve nga shkolla në shkollë dhe kjo patjetër që ndikon në mbarëvatjen e mësimit të fëmijëve për shkak të ndryshimit të ambientit,” tha Gajda për Informim.al.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi theksoi gjithashtu se zhvendosja e fëmijëve të komuniteteve të pakicës larg vendbanimeve të tyre mund të sillte efektin e kundërt.
“Nuk është e e thjeshtë për ta zhbërë segregimin dhe nuk është e mira të zhbëhet në mënyrë të menjëhershme. Është shumë e rëndësishme në kuptueshmërinë e gjësë, sepse vetë familjet të shqetësuara bëjnë rezistencë,” tha Gajda.
“Por në thelb, segregimi nuk lejon një integrim të mirë të fëmijëve romë dhe egjiptianë në shoqëri…,” shtoi ai.
Ervis Çota, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Rinore Rome dhe Egjiptiane i tha Informim.al tha se në betejën kundër segregimit, ata janë përballur në disa raste me bashkëpunimin e drejtuesve të shkollave dhe në raste të tjera me kundërshtinë e tyre.
Çota theksoi gjithashtu se ç’regjistrimi i nxënësve të mazhorancës nga shkollat me përqendrim të komunitetit rom dhe egjiptian bie në kundërshtim me rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë, duhet ndëshkuar.
“Fenomeni i segregimit duhet luftuar në çdo segment të arsimit parauniversitar, pasi ndikon në uljen e dëshirës dhe cilësinë e arsimimit për nxënësit romë dhe egjiptianë,” tha Çota.
“Në të kundërt, nëse këto institucione veprojnë në shkelje të rregullores, duhet që ministria përgjegjëse, në rastin konkret MASR të marrë masa disiplinore, deri në largim nga detyra,” përfundoi ai.
COMMENTS