Më kanë pyetur shpesh a e ke ndjerë diskriminimin? Jo, jam kthyer, thellë brenda vetes kam vendosur barriera ku rracizmi të mos depërtonte në mua. E ndjeva që fëmijë kur në kopësht më thërrisnin “ajo zeshkania” por nuk e kuptoja. Në klasën fillore një vajzë më quajti “jevg”, tashmë e dija që ky përkufizim lidhej me njerëzit me ngjyrë të zezë. Si fëmijë kërkova mbrojtje, iu drejtova mësueses që e doja shumë e cila i mbylli krahët duke më thënë: Ashtu je ! U turpërova por brenda vetes e dija që kjo nuk ishte e drejt. Koha fluturoi por dhe unë kisha ndryshuar. Në universitet plaga e vjetër u hap përsëri, por këtë herë ishte ndryshe. Qesha, pasi tashmë e ndërgjegjësuar arrita të mos vritesha me mllefin e pakuptimtë të pedagogut tim. Por sot ky është një problem i cili prek të gjitha vajzat e komumitetit rom dhe egjiptian dhe bëhen pre e bullizmit dhe rezultati është braktisja e shkollës. A jemi gati ne që ta ndryshojmë këtë situatë? Ka ardhur koha që të zbatohet ligji i Diskriminimit, i cili përcakton gjobë ndaj çdo personi që përdor konotacione ofenduese ndaj minoriteteve në Shqipëri. Ofendime të tilla kanë filluar të bëhen të zakonshme në mediat kombëtare nga njerëz publikë, por nuk kemi pa deri më sot që të gjobitet ndonjë individ edhe pse janë dërguar ankesa tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Zbatimi i ligjit do bëj të mundur që çdo fëmijë të arsimohet duke mos u paragjykuar dhe cënuar nga askush. Arsimi do të sjellë që komunitetetet të jenë të përgatitura dhe të afta për të ardhmen e tyre.
Punoi: Dorina Fejzullahu
COMMENTS