Një në 4 gra rome privohen nga shërbimet mjekësore gjatë shtatzanisë

Një në 4 gra rome privohen nga shërbimet mjekësore gjatë shtatzanisë

FSHATI QË LINDI FISHTËN MBETET PA SHKOLLË
“Është një perlë”, Rama tregon ndryshimin që do të ndodhë me ‘Xhaminë e Plumbit’: Propozova park me pemët e Kuranit!
Përdhunimi i 11-vjeçares: Ngjarja ka ndodhur dje! Prindërit e 11 vjeçares ishin në spital kur u abuzua nga shoku i babait, dyshohet se

Të dhënat e siguruara nga Informim.al përmes një pyetësori me gra të komunitetit rom dhe egjiptian tregojnë se shumë prej tyre nuk arrijnë t’i përfitojnë vizitat dhe konsultat falas për shkak të mungesës së aksesit në sistemin e referimit apo të varfërisë.

Nga Adela Radovani

Në shtëpinë e saj të varfër në lagjen 13 të Durrësit, Zhaneta, 26 vjeç, shtrëngon barkun e rrumbullakosur dhe ankohet se ka dhimbje. Shtatzanë për herë të parë, gruaja heziton që të shkojë për vizitë në spital.

‘Po shkova në maternitet, do më thonë ik se s’ke ti. Duan lekë. Nuk kam çfarë t’u jap, për ekon duan lekë. Për të gjitha,’ thotë ajo.

Zhaneta është anëtare e komunitetit rom dhe jeton në kushte të vështira ekonomike, në një shtëpi me një dhomë dhe një kuzhinë të improvizuar në oborr. Ajo kujdeset njëkohësisht për dy familjarë të sëmurë, babanë dhe gjyshin e bashkëshortit. Shëndetin e saj e ka lënë në plan të dytë.

Gratë shtatzëna i përfitojnë falas shërbimet shëndetësore përmes një sistemi referimi, por Zhaneta rezulton e regjistruar në Pogradec dhe nuk mund të vizitohet falas në Durrës.

Megjithatë, ajo niset drejt urgjencës së spitalit e shoqëruar nga kjo reportere dhe kushëriri i saj.

Qendra e Nënës dhe Fëmijës në Durrës gjendet pranë Spitalit Rajonal, në një ndërtesë të re dhe të pastër, por Zhanetës iu desh të priste gati një orë për t’u takuar me një infermiere, e cila e shoqëroi me dyshim drejt dhomës së mjekut për të bërë ekon.

Në fund të vizititës, mjeku e pajis Zhanetën me një recetë dhe e përcjell. Fëmija është mirë, Zhaneta po ashtu; dhimbjet nuk janë gjë për t’u shqetësuar.

Të dhënat e siguruara nga Informim.al përmes një pyetësori të publikuar online tregojnë se 1 në 4 gra të komunitetit rom dhe egjiptian nuk ndiqen nga mjeku gjatë periudhës së shtatzanisë për shkak të mungesës së aksesit në sistemin e referimit si dhe të varfërisë.

Mes 24 grave të intervistuara, pesë prej tyre thanë se nuk kishin përfituar shërbime shëndetësore falas gjatë shtatzanisë, pasi rezultojnë të regjistruara në qytete të tjera, ndryshe nga vendbanimi.

Përveç privimit nga ndjekja e një mjeku, të anketuarat thanë se nuk kishin kryer eko dhe nuk ishin trajtuar me vitamina gjatë shtatzanisë. Problemet shoqërojnë edhe fëmijët e tyre, të cilët sipas përgjigjeve, ose nuk i kanë bërë vaksinat, ose i kanë bërë ato pjesërisht.

Angjelina A. është gjithashtu një grua e re, e cila erdhi pranë organizatës Drejtësi Sociale për të kërkuar ndihmë për një çështje të sajën gjyqësore. E braktisur nga bashkëshorti abuziv, ajo nuk ka asnjë të ardhur dhe nuk ka punuar kurrë në jetën e saj.

Nënë e tre fëmijëve, Angjelina thotë se në qytetin ku ajo banon, në Peqin, shërbimet shëndetësore duhet t’i paguash shtrenjtë.

‘Më vjen zor ta çoj vajzën për vizitë te mjeku se kërkojnë lekë,’ thotë Angjelina, e cila shton se asnjë prej fëmijëve të saj nuk është i vaksinuar.

Qendra Shëndetësore e fshatit Pajovë të Peqinit është rikonstruktuar në 2020, pas 45 vitesh lënieje krejtësisht në harresë.

E pyetur se ku gjendet qendra shëndetësore e Peqinit, Angjelina ngre supet. Lindjet i ka bërë të gjitha në Durrës, aty ku banon nëna e saj. Ndërkohë, në dokumente, ajo është banore e Tiranës, në zonën e Shkozës – çka i shton edhe më tej peripecitë.

Mjekja gjinekologe, Alva Xhelilaj thotë se gratë rome nuk diskriminohen nga sistemi shëndetësor, por për të përfituar vizitat dhe konsultat falas, duhet të referohen nga mjeku i familjes.

“Kategoria e gruas shtatzanë përfiton sipas ligjit çdo vizitë falas, nëse ndjek sigurisht radhën e rekomandimeve nga mjeku i familjes drejt shërbimeve sekondare dhe terciare,” tha mjekja, ndërsa shtoi barnat përgjatë shtatzanisë përdoren sipas mundësive, pasi nuk janë pjesë e skemës së rimbursimit.

“Vaksinat dhe vizitat e fëmijës janë të përcaktuara sipas një kalendari nga Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë shtetasit shqiptarë, pa asnjë dallim, e përfitojnë falas,” shtoi ajo.

Jo të gjitha gratë rome kanë eksperienca të njëjta sa i përket aksesit në sistemin shëndetësor gjatë shtatzanisë.

Qartësisht, dy janë faktorët që ndikojnë në aksesin e gruas rome drejt shërbimeve mjekësore gjinekologjike; vendbanimi, nëse janë në Tiranë duke e kryer vizitën apo jo, dhe gjendja e tyre ekonomike dhe sociale.

Në intervistimet e kryera në qytete të tjera si Korça, gjendja varion pikërisht në pikën nëse gruaja është e punësuar ose jo. Në rastet kur ato janë të punësuara, raportojnë se kanë kryer vizita të plota, janë trajtuar mirë dhe kanë gjetur zgjidhje në konsultore. Disa raportojnë se kanë paguar nën dorë, sepse kanë pasur mundësi. Nuk raportohet detyrim në ndonjë rast.

COMMENTS

WORDPRESS: 0