Me një vendim të këshillit të ministrave, Nr. 395, datë 29.6.2023, është përcaktuar mënyra sesi do funksionojë praktika e dyfishtë e mjekëve pranë spitaleve që kanë fituar të drejtën e vetëmenaxhimit. Me anë të kartës autonomisë menaxheriale, spitali mund të lidhë një kontratë me mjekët që duan të ofrojnë shërbim brenda ambienteve të spitalit, duke përcaktuar tarifat dhe numrin e takimeve që ai do japë brenda muajit.
Sipas VKM, spitali duhet të sigurojë:
akses të garantuar për qytetarët në marrjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, bazuar në rregullat e ofrimit të shërbimit, sistemin e referimit, cilësinë e shërbimit në çdo hallkë të ofrimit të shërbimit në spital
por mënyra si do garantohet, mbetet në pikëpyetje. Aktualisht, QSUT vuan nga mbingarkesa dhe me sistem referimi, pacientët marrin shërbime deri në dy muaj më vonë për shkak se mjekët janë të mbingarkuar.
Spitali do vendosë në dispozicion gjithë infrastrukturën për këtë mjek që shërben në mënyrë private, duke përfshirë edhe recepsionin, dhe do marrë disa të ardhura në bazë të kontratës së përcaktuar. Spitali nga ana tjetër do ngrejë një strukturë monitoruese për të vëzhguar procesin. Tarifat duhet të afishohen dhe të jenë transparente për publikun. Në angazhim për zbatimin e VKM-së është vënë ndër të tjera dhe Fondi i i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në 10 Mars të këtij viti, ministria Manastirliu për një dalje për mediat, tha se Spitali Memorial i Fierit ka fituar kartën e autonomisë menaxheriale, pavarësisht se projekti pilot ka qenë në funksionim që me hapjen e tij, si bashkëpunim me qeverinë turke. Tashmë, ajo deklaron se spitalet e radhës që do zbatojnë autonominë janë QSUT, i Durrësit dhe i Shkodrës.
Nga VKM në praktikë, çfarë pritet nga ky vendim
A i kanë kushtet këto spitale që të menaxhojnë edhe praktikën e dyfishtë të mjekëve, kjo është çështje e cila ka nevojë për një analizë paraprake. Fatkeqësisht, ka gjasa që këtyre spitalave do ju jepet karta e autonomisë, edhe nëse nuk i plotësojnë kushtet. Sidomos QSUT, spitali më i mbingarkuar i vendit, rrezikon të bëhet më i paaksesueshëm nga sa është për pacientët e varfër që nuk mund të paguajnë. Edhe sot, një pacient i referuar vuan nga një ndërtesë në tjetrën duke u sorollatur për të marrë shërbim dhe prej tij pritet një pagesë nën dorë.
Me praktikën e dyfishtë, pagesa nën dorë legjitimohet, taksohet dhe bëhet e detyrueshme. Do jetë e pamundur në këtë pikë të flitet për një shëndetësi falas.
Ndërkohë nuk ka ende informacion si do procedohet me analizat, skanerat dhe vizitat e tjera që përcaktohen me data të largëta, përfshirë këtu dhe operacionet, për shkak të fluksit të lartë të pacientëve në QSUT.
COMMENTS