Pas përmirësimit të kushteve të motit, uji ka nisur të tërhiqet nga banesat dhe tokat e zonave të përmbytura.
Autoritetet lokale të Shkodrës raportojnë se sipërfaqja totale e përmbytur ka shkuar në 1365 hektarë.
Gjendja më e vështirë paraqitet në Njësinë Administrative Ana e Malit, ku rreth 850 hektarë tokë bujqësore është ende nën ujë.
Në këtë njësi rruga e Obotit ka prezencë uji në nivelin e 40 centimetrave dhe është e kalueshme vetëm me mjetet e ushtrisë.
Ujësjellësi Oblika 1 dhe 2, si pasojë e përmbytjeve vijon të mbetet jashtë funksionit.
Në njësinë Guri i Zi përveç përmbytjeve të 50 hektarëve vërehet një gërryerje e tokave bujqësore në bregun e lumit Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, në një gjatësi prej 800 metra.
10 familje me rreth 30 persona vijojnë të jetë të evakuzuara, kryesisht në njësitë Guri i Zi dhe Bërdicë, ndërkohë që 4 shtëpi në lagjen Ajasem kanë prezencë uji.
Hidrometri i Liqenit të Shkodrës shënon kuotën 7.98 metra nga 7.71 që ishte mbrëmjen e së martës, ndërsa hidrometri i lumit Drin shënon kuotën 5.80 metra nga 6.05 metra që ishte një ditë më parë.
Edhe në Lezhë përmbytjet janë ende prezente. Për rrjedhojë 1300 hektarë në Njësisë Balldren dhe Dajç janë nën ujë.
Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë Lezhë-Shkodër vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës.
Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit në trupin e rrugës në fshatin Piraj, e cila është bërë e pakalueshme nga mjetet e vogla.
Rruga që lidh fshatin Torovice me fshatin Malecaj, njësia Administrative Balldren, është po ashtu e pakalueshme për mjetet e vogla.
Ndërsa në fshatin Kakarriq vazhdon të ketë prezencë uji në 4 banesa.
Tv Klan
COMMENTS