Nga se ndërroi jetë foshnja e çiftit Demo?

Nga se ndërroi jetë foshnja e çiftit Demo?

Komisioneri/ Bashkia Tiranë diskriminon punonjësin egjiptian
Ndryshon ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Komisioneri detyrohet të ngrejë padi për çështje me interesa kolektive
Komisioneri/ Enti Rregullator i Energjisë (ERE) diskriminon të varfërit.

Dita e djeshme ka qenë e trishtë për çiftin Demo nga qyteti i Korçës. Në vend që në këto momente t’i gëzoheshin prindërimit dhe ardhjes në jetë të fëmijës së tyre të tretë, janë ndarë përgjithmonë me të. Pas një kalvari disa mujor, të mbushur me varfëri dhe paqartësi, dje e përcollën për në banesën e fundit.
Historia
Foshnja Demo erdhi në jetë në muajin korrik të këtij viti të vështirë, në maternitetin e Korçës dhe si çdo lindje solli gëzim. Sipas babait, Olger Demo, i cili e pa djalin e tij në momentet e para të jetës, edhe pse ai lindi prematur dukej mirë dhe i shëndetshëm. Por gëzimi nuk do të zgjaste shumë. Rreth 3 orë më pas, një mjeke e spitalit (Olgeri vazhdon të jetë shumë i tronditur nga humbja dhe në këtë rrëfim nuk i mban mend emrat e shumë personave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje) i tha se djalin do ta nisnin për në Tiranë për shkak të problemeve me mushkëritë. Sipas Olgerit, që nënshkroi edhe një dokument të cilin nuk e disponon, mjekja i tha se nëse foshnja do të arrinte të mbijetonte 24 orët në vijim, atëhere do të shpëtonte.

Dy ditë më pas, edhe pse me para borxh për shkak të gjendjes shumë të rëndë financiare të familjes, Olgeri niset drejt Tiranës për të marrë vesh lajme nga i biri. Ai rrëfen se pasi hyri në maternitetin “Koço Gliozheni” arriti ta shohë djalin, që dukej i qetë dhe në gjumë në sallën e foshnjeve. Edhe mjekja të cilën e pyeti për shëndetin e tij (emrin e saj nuk e mban mend) i tha që djali ishte shumë mirë me shëndet. Atë natë Olgeri e kalon në një stol jashtë maternitetit dhe të nesërmen kthehet sërisht në spital, këtë herë për ta marrë djalin me vete. Aty i njoftojnë se i biri kishte ndërruar jetë, por sipas tij askush nuk i tha se cila ishte arsyeja dhe për më tepër nuk e lejuan ta shihte. Në këto kushte, në gjendjen e një tronditjeje të thellë, Olgeri së bashku me një të afërmin e tij që e shoqëronte bëri një denoncim në një nga komisariatet e kryeqytetit dhe më pas u kthye në shtëpinë e tij në Korçë për t’ia dhënë lajmin e hidhur bashkëshortes. Më pas pati edhe disa ecejakje në Tiranë, por pa rezultat. Në këto rrethana, i paqartë për shkakun e humbjes së jetës së të birit, i dërrmuar shpirtërisht dhe mbi të gjitha pa mundësi financiare për ta
kthyer trupin e tij në Korçë të prehet pranë familjes, ai i është drejtuar për ndihmë Zyrës Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë.

Punonjësit e saj, në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës i mbuluan shpenzimet e varrimit, ndërkohë që shpenzimet e kthimit të foshnjes nga morgu i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” i mbuluan anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian të Elbasanit.

Rasti i varfërisë ekstreme të familjes Demo, që shfaqet edhe në pamundësinë e dhimbshme të ofrimit të një varrimi dinjitoz për foshnjen e saj, nuk është një rast i veçuar. Ata që nuk kanë ku të përplasen për të zgjidhur hallet e tyre ekzistenciale, për shkak të mungesës së strukturave shtetërore, dhe nuk gjejnë përgjigje për kërkesat më minimale jetike, janë fatkeqësisht të shumë.

Pyetja që mbetet pa përgjigje

Ngjarja e dhimbshme familjes Demo, që jeton në kushtet e një varfërie të thellë, e mbi të gjitha e ngërthyer nga dhimbja e mungesës së informacionit në lidhje me shkakun e vdekjes së foshnjes së saj në maternitetin, “Koço Gliozheni” mbart në vetvete edhe shumë pikëpyetje, mes të cilave më kryesorja – nga se ndërroi jetë i
sapolinduri?

Stafi i InFormim.al në ditët në vijim do të përpiqet të hedhë dritë pikërisht në pikëpyetjet e këtij rasti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0