E informuar për vdekjen e nënës së saj, Mimoza Alushi udhëtoi ditën e djeshme nga Fieri drejt Tiranës, për të nisur procedurat e tërheqjes së trupit. U desh një ecejake një orë e gjysëm, nga zyra e informacionit të spitalit të Neurokirurgjisë, te statistikat, pastaj mbrapsht te mjeku përgjegjës në spital. U desh riardhja sot që të merrej përfundimisht vula. Gjithë kjo procedurë e zgjatur e habit Mimozën, dhe i justifikohet me pretendimin se ‘nëna juaj ishte e paidentifikuar’. Kjo është e vërtetë. Po kush ka faj për këtë?
Familja e Mimozës është në varfëri ekstreme. Për udhëtimin e saj, u kujdes kryeplaku. Arsyeja pse nëna e saj ishte nisur për Tiranë, ishte që të gjente punë për disa ditë. Përpiqem të kuptoj nëse do ishte punë apo mbledhje mbetjesh të ricikluara, a ca më keq, lypje, por Mimoza nuk dëshiron të flasë më tej. Kur e pyes nëse e ka kërkuar të ëmën gjithë këtë kohë, ajo shpërthen në lot. Është e frikshme të dëgjosh sesi muajt e fundit të jetës së prindit, të kalojnë mes të huajsh. Por ishin këta të huaj që raportuan me fotografi në rrjetin social tiktok për Dranen, e më pas tek emisioni ‘Pa gjurmë’. Panajoti, si komshi i tyre, e vuri re, e njohu të moshuarën dhe lajmëroi familjarët. Kështu u realizua takimi, por ishte shumë vonë. Ajo ndërroi jetë pikërisht një natë më parë, para se Mimoza ta takonte për herë të fundit.
Ngjarja e rëndë është e veshur ende nga misteri. Nëse Mimoza ka denoncuar humbjen e nënës së saj që me datë 20 gusht, si është e mundur që policia nuk arriti dot që ta gjente atë? Drana Alushi raportohet se është gjetur nga qytetarë, e rrëzuar në trotuar, dhe është dërguar në urgjencën e QSUT. Prej andej, transferohet në Spitalin e Neurokirurgjisë. Mimoza ka bredhur në të gjitha spitalet e Tiranës duke pyetur, në atë të Traumës, në Sanatorium, në Neurokirurgji dhe në fund, te morgu. Ndërsa te spitalet e tjera i kanë thënë se nuk kanë dikë të paidentifikuar, te Neurokirurgjia, ku e moshuara ishte e shtruar, nuk i kanë dhënë informacion. Për informim.al, mjekët refuzojnë të japin koment. Në foton e publikuar në tiktok, personat që e kanë zbuluar të moshuarën thonë se ajo vuan nga skleroza dhe se nuk mban mend as emrin e saj. Di vetëm që ka një vajzë, dhe e përmend atë.
Një ngjarje e tillë e rëndë ngre hije dyshimi për profesionalizmin e bluzave të bardha, aftësinë për të zgjidhur çështje kaq bazike nga ana e policisë, por dhe diçka tjetër. Hija e dyshimit bie mbi stafet përkatëse. A ka humbur përfundimisht humanizmi?
COMMENTS