Në qiell të hapur dhe 7 muaj pa marrë bonusin e qirave, banorët e ish komunales në protestë: Veliaj mbaj premtimet

Në qiell të hapur dhe 7 muaj pa marrë bonusin e qirave, banorët e ish komunales në protestë: Veliaj mbaj premtimet

Protestë para bashkisë Tiranë/ Banorët i drejtohen të revoltuar kryetarit të bashkisë
Dilema e tregëtarëve – ’Formalizimi’, apo braktisja e Tregut të Shkozës
Salaj/ Bashkia e Tiranës modeli më i keq i qeverisjes, pasi shumica drejton pa pyetur fare për pakicën.

Rreth 40 familje që banonin tek ndërtesa e ish-komunales të prekura nga tërmeti i 2019-ës, kanë mbetur në qiell të hapur, pasi Bashkia e Tiranës i ka skualifikuar nga përfitimi sipas programeve të rindërtimit si familje të prekura nga tërmeti. Këtë të hënë, duke përzgjedhur 8 prillin një datë simbolike që njihet si dita ndërkombëtare e romëve, banorët e ish komunales kanë zhvilluar një protestë përpara ambienteve të bashkisë.

Prej 7 muajsh, banorët nuk kanë marrë as bonusin e qirasë siç u ishte premtuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Banorët thonë se do të vijojnë protestat derisa të marrin zgjidhje ndërsa ngrenë shqetësimin se kanë ngelur pa përgjigje dhe të harruar nga Bashkia.

“Veliaj dil na jep përgjigje. Veliaj mbaj premtimet. Kemi 7 muaj pa bonus, ju lutem të dalin dhe të na sqarojnë. Kemi ardhur dhe njëherë tjetër dhe nuk na kanë bërë asgjë edhe këtë radhë nuk e di. Erion Veliaj dil dhe na sqaro, kaq duam!”- ishin disa prej thirrjeve të banorëve gjatë tubimit të sotëm.

Në pankartat e tyre, rikujtohet sesi Bashkia i nxori jashtë shtëpive të tyre vetëm me një vendim. Në fakt, bëhet fjalë për vendimin të Këshillit të Ministrave të vitit 2009 që i hapi rrugë privatizimit të ndërtesave te “ish Komunalja”. Ky vendim detyronte banorët të pajiseshin me dokumentacionet përkatesë që vërtetonin pronësinë e shtëpisë, mirëpo gjendja e tyre ekonomike i pengoi një pjesë të banorëve të finalizonin procesin.

Kësisoj, tërmeti i 26 nëntorit të 2019 e gjeti pjesën më të madhe të banorëve pa dokumente pronësie të cilët që prej atij momenti jetojnë në qiell të hapur ose me bonuese qiraje të cilat janë ndalur prej 7 muajsh.

Në të tilla kushte, banorët të cilët u mblodhën sot para Bashkisë së Tiranës kërkojnë nga Bashkia të mbajë premtimin e dhënë ndërsa janë zotuar se protestat do t’i vijojnë madje edhe do ngrenë çadra përpara institucionit. Një grup përfaqësues nga protesta zhvilloi sot edhe një takim me përfaqësues nga bashkia. Insitucioni kërkoi një javë kohë për nxjerrjen e një vendimi për çështjen pasi të konsultohej me Entin Kombëtar të Banesave.

Protesta e fundit nga banorët u mbaj më fund të janarit, ku ndonëse pati një komunikim me përfaqësues nga Bashkia, nuk e morën një zgjidhje.

Ndërkohë, aktivisti dhe hulumtuesi Edison Lika i cili e ka ndjekur me hollësisht rastin se bashku me organizatën Drejtësi Sociale me avokatin Gentian Sejrani shpjegoi se çfarë ju komunikua banorëve nga Bashkia. Lika shprehet se banorët i lanë afat sërish Bashkisë edhe një javë që të hynte në bisedime me Entin Kombëtar të Banesave. Në momentin që ky afat nuk respektohet nga Bashkia Tiranë, banorët e ish komunales do të vijojnë protestat.

“Sot ishim para Bashkisë Tiranë sepse kishte premtuar se do të ngrinte një komision rivlerësimi për përjashtimin e disa banorëve të ish komunales. Ky komision nuk u mblodh pavarësisht se kaloi afati 45 ditor. Pasi kaloi afati, banorët vendosën të dilnin në protestë. Pasi bënë takim te bashkia gjatë tubimit, këta të fundit thanë se janë në bisedime me Entin Kombëtar të Banesave dhe deri javës tjetër do të realizohet një mbledhje nga ku do dilet me një zgjidhje për banorët.  Banorët i dhanë një javë kohë Bashkisë së Tiranës, por u zotuan se nëse shkelet edhe ky afat nuk do i ndalin protestat.”- shpjegoi Lika.  

COMMENTS

WORDPRESS: 0