Strehimi është sot një nga problemet më të mëdha sociale, veçanërisht për familjet në nevojë. Ligji në fuqi i Strehimit Social ofron disa programe, por baza për të përfituar nga secila prej tyre janë të ardhurat mujore. Kriter ky që pamundëson që familjet me të ardhura të ulëta të përfitojnë. Duke qenë se, ky ligj nuk i përgjigjet të gjithë kërkesave dhe veçanërisht nuk favorizon kategoritë në nevojë u pa e arsyeshme ndryshimi dhe përmirësimi i ligjit ekzistues. Falë përpjekjeve të shumta të përfaqësuesve kombëtarë dhe përfaqësuesve nga shoqëria civile me anë të komenteve dhe rekomandimëve të shumta u arrit që ligji të pësojë ndryshime dhe u prek në masën 80 % të tij. Më në fund projektligji “Për strehimin social”, propozuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, u miratua nga Këshilli i Ministrave. Ndryshimet ligjore parashikojnë dyfishim të programeve të strehimit si dhe ndryshime për sa i përket kritereve për përfitimin e këtyre programeve. Këto programe janë: Programi i banesave sociale me qira; Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese ose të përmirësimit të kushteve, deri në një ndërtim të ri; Programi i banesave me kosto të ulët; Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; Programi për krijimin e strehëve të përkohshme; Programi i banesave të specializuara. Ligji i ri është një mundësi shumë e mirë për familjet në nevojë që të përfitojnë nga programet sociale të strehimit. Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, projektligji “Për strehimin social” do të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
COMMENTS