Ndihmat për shtresat në nevojë  – shumë vonë, shumë pak

Ndihmat për shtresat në nevojë – shumë vonë, shumë pak

Në Shqipëri është shumë e thjeshtë që fëmijët të blejnë alkool dhe duhan
Përfaqësues të komunitetit egjiptian dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë.
Shumë pak pemë për banorë, Shqipëria rekord negativ

Pandemia është një sprovë e rëndë për të gjithë, jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore. Ajo shndërrohet në një sfidë të vërtetë jete për personat dhe familjet në nevojë. Veçanërisht për ata që ndodhen, prej kohësh, në një situatë varfërie kronike, situatë së cilës i shtohen të gjitha kostot e larta e të paparashikuara  të sëmundjes.  Për përfituesit e ndihmës ekonomike, si dhe për komunitetin rom dhe egjiptian, një pjesë e të cilit jeton pa asnjë lloj mbështetjeje financiare, këto janë muaj në kufijtë e mbijetesës. Mbështetja e shtetit është ndjerë pak, ose aspak.

Rritja e shpenzimeve

Periudha e mbylljes së madhe “karantina”, nga marsi në qershor 2020,  për komunitetin rom dhe egjiptian në të gjithë Shqipërinë solli edhe goditjen e dy prej bizneseve kryesore – tregtisë së veshjeve të përdorura dhe mbledhjes së mbetjeve të riciklueshme. Dukeqenë se pjesa më e madhe e komunitetit është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore dhe ndihmës sociale ata nuk ishin subjekt i dy paketave financiare anti-covid të qeverisë, rezervuar për të punësuarit dhe vetëpunësuarit. Edhe pse sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar kjo ndihmë ishte më e ulëta në terma financiarë në gjithë Ballkanin Perendiomor, shtresat më të varfra të popullatës mbetën jashtë saj. (Qeveria e Shqipërisë ka dhënë vetëm 1.21 për qind te PBB-se ose rreth 170 milionë dollarë.)

Muajt e fundit, me shtimin e numrit të infeksioneve dhe gjithë problematikës së pandemisë, veç të tjerash, janë rritur shumë edhe shpenzimet për ilaçet dhe ekzaminimet. Sigurisht, që në kushtet e pamundësisë së ngopjes me bukë nuk bëhet fjalë për ilaçe. Kjo do të thotë që, tashmë në rrezik është jeta e personave nga këto shtresa.

Ilrjan dhe Sheme Berati janë një çift 60 – vjeçarësh të komunitetit rom nga  Elbasani. Ata jetojnë prej vitesh vetëm me një të ardhur mujore prej 3 mijë lekësh të reja, përfituar nga ndihma ekonomike. Kanë punuar, pjesën më të madhe të jetës, “në të zezë” dhe pavarësisht se kanë kërkuar gjithmonë punë në zyrat e punës janë kthyer duarbosh në shtëpi, kryesisht për shkak të  përkatësisë etnike dhe mungesës së kualifikimit. Paratë që marrin u dalin vetëm për të paguar faturat e ujit dhe të dritave. Për të vënë diçka modeste mbi tryezë u duhet, herë pas here, të shesin ndonjë veshje të përdorur, por së fundi policia nuk i lejon ta bëjnë më për shkak të situatës së pandemisë. Pleqëria, frika nga infektimi dhe pamundësia për përballimin e situatës i ka çuar në dëshpërim të plotë. Nuk kanë mundësi  të blejnë as edhe një paracetamol dhe ndërkohë që ndodhemi në prag të një mbylljeje të dytë nuk do të kenë më mundësi as për punët e rastësishme. Si familja Berati janë edhe shumë familje të tjera në qytetin e Elbasanit. E vetmja ndihmë, në ushqime, që ata dhe të tjerë si ata kanë përfituar, gjatë kësaj periudhe,  është ajo e bashkive. Edhe ajo erdhi vetëm falë këmbënguljes dhe kërkesës së organizatave të shoqërisë civile të Elbasanit, Korçës, Fierit dhe Pogradecit.

Ndihmë, apo propagandë?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi, disa ditë më parë, se  qeveria ka vendosur në dispozicion 1,2 miliardë lekë për rimbursimin e ilaçeve kundër Covid-19. Sipas saj, ky ishte një investim për shëndetin dhe një mbështetje më shumë për familjet në nevojë. Por ata që do të mund të përfitojnë nga një ndihmë e tillë duhet të lidhen me mjekun e familjes, nëse do të kenë simptoma të Covid – 19. Sërisht, më të vobektit nuk do të mund të përfitojnë dukeqenë se nuk kanë lidhje me një mjek familjeje. E papërfillshme është edhe iniciativa e Kryeministrit për të dyfishuar ndihmën ekonomike për përfituesit e saj deri në fund të pandemisë. Si mund të mjaftojë dyfishimi i kësaj ndihme, ndërkohe që sipas, drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj,  vetëm kostoja e trajtimit në fazat fillestare të sëmundjes për një individ kushton 12.000 lekë të reja. 

COMMENTS

WORDPRESS: 0