Të moshuarit janë një pjesë e shoqërisë të cilët kanë më shumë vështirësi dhe ndjejnë më shumë se çdo brez nevojën për përkujdesje, pasi mundësitë fizike, sociale, ekonomike, shëndetësore bëjnë që ata të kenë nevojë për përkujdesje nga dikush tjetër. Dhe kur këto vështirësi nuk janë të theksuara, ata kanë nevojë për përkujdes social, praninë e dikujt tjetër që ti flasë e mos të ndjehen vetëm.
Ndonëse në qytete ka qëndra ditore për të moshuarit, apo parqe ku mund të dalin dhe të takohen e të kalojnë kohën sëbashku, për t’u siguruar kujdesin për të cilin kanë nevojë, shpeshherë ndodh që të ketë të moshuar sërisht në gjendje të mjerueshme, pa kujdes social e shëndetësor, pa mundësi ekonomike për të plotësuar nevojat e tyre, pa dikë me të cilin mund të flasë. E kur këto raste i hasim jo rrallëherë në qytete, në fshatra të ndryshëm të moshuarit nuk kanë kujdesin e askujt kur janë të vetmuar, por as mundësinë për të përfituar nga shërbimet që përfitojnë në qendrat ditore të moshuar të tjerë.
Konkretisht, qyteti i Durrësit, ka një qendër ditore për të moshuarit ku marin shërbime sociale, shërbim shëndetësor, ushqimor ( kafe dhe çaj në mëngjes si dhe drekën), pako ushqimore e dhurata në festa dhe gjatë pushimeve verore, si dhe ekskursione të ndryshme, por kapaciteti i qendrës është afër 130 persona, gjë e cila riskon shumë të moshuar të tjerë që t’i përfitojnë këto shërbime. Nevoja për të pasur më shumë qendra të atilla për të moshuarit është e madhe pasi kudo ka të moshuar që plotësojnë kriteret për t’u antarësuar në qendër.
Një e tillë do ishte e nevojshme dhe në NJ.A. Katund i Ri, kjo pasi të moshuarit në këto zona janë të varfër, të vetmuar pasi fëmijët janë të larguar në emigrim, por dhe kur i kanë fëmijët afër pamundësitë ekonomike bëjnë që të mos e kenë përkujdesin e tyre. Prania e një qendre të atillë do ndihmonte këta të moshuar si ekonomikisht, duke u lehtësuar shpenzimet e tyre ditore për pjesën ushqimore, do kishin dhe përkujdesin shëndetësor që ndoshta vetë nuk kanë mundësi t’a sigurojnë vetë, por ajo çka është dhe më e rëndësishmja kalojnë një pjesë të ditës në shoqërinë e të moshuarve të tjerë, në vend që të mbyllen të vetmuar në shtëpi.
Nevoja për t’i kushtuar rëndësi kësaj çështje nuk mungon por mundësitë financiare nga Bashkia e Durrësit nuk premtojnë diçka të atillë në një të ardhme të afërt, por shpresojmë që të vijë dita që t’i kushtohet rëndësi dhe prioritet kujdesit ndaj moshës së tretë.
Elisa Mici
COMMENTS