Fotoja flet më shumë sesa vetë fjalët dhe kështu çdo ditë të javës zhvillohet një orë mësimore online nga shtëpia nëpëmjet platformave virtuale me aparate celularë, internet që mbaron sa hap e mbyll e sytë e shumë prej fëmijëve nuk kanë akses për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Foto: Mësimi online
Mësimi i kombinuar e ka ndarë javën në dy pjesë me një alternim të nxënësit me prezencës në bankat e shkollës dhe pjesëmarrjes online nga shtëpia që shumë vështirë për t’u kuptuar ajo që transmetohet.
Nëse do të listojmë disa nga vështirësitë gjatë mësimit online, mund të themi kanë të bëjnë kryesisht me problemet teknike që hasen gjatë proesit në distancë.
Qëndrimi me orë të tëra përballë kompjuterit apo telefonit ka filluar të krijojë probleme edhe me shikimin e nxënësve dhe një lodhje të madhe.
Nga ana tjetër edhe mësuesit e pranojnë se orët virtuale nuk mund të zëvendësojnë prezencën fizike në bankat e shkollës, madje drejtuesit e shkollave shprehen se përballja me këtë metodë të re mësimdhënie në distancë ka disa problematika.
Klasat e fillores dhe matura janë të përjashtuar nga mësimi online. Ndërkaq, proçesi i kombinuar do të vazhdojë deri në një vendim të dytë nga komiteti i ekspertëve në varësi të situatës së pandemisë.
Së fundmi në një deklaratë për shtyp, ish-deputetja Albana Vokshi, tha se orët e mësimeve janë shkurtuar dhe kalimi online nuk ka qenë i efektshëm dhe gjithashtu në raste të tjera ka qenë gati i pamundur.
“Mbi 425 mijë nxënës mësuan në një sistem të dobësuar arsimor, mbi 34 mijë mësues u keqpërdorën me mësimin me 2,3 dhe 4 turne, pa u shpërblyer siç duhet. Dështimi i qeverisë për të siguruar kushtet minimale për ruajtjen e shëndetit të mësuesve rezultoi katastrofik. Vetëm nga informacionet e bëra publike, janë të paktën 13 mësues të ndarë nga jeta për shkak të Covid-it,” – tha Vokshi teksa theksoi se krahas situatës nuk janë mundësuar fonde për infrastrukturë apo për trajnime dhe paga shtesë.
“Në Shqipëri po rritet një brez COVID. Dhe një brez analfabetësh funksionalë, që është rritur me përmasa të rrezikshme, mbi 60%. As mësimi fizik 25-30 minutësh nuk është efikas, as mësimi i alternuar nuk funksionon dhe mësimi online është gati i pamundur,” – shtoi më tej ish-deputetja demokrate duke fajësuar qeverinë.
COMMENTS