Në një kohë të tillë pandemie, rutina e secilit prej nesh ka marrë një tjetër rrjedhë. I tillë është edhe procesi mësimor, ku mesa duket do të duhet një kohë e gjatë rikuperimi për çdo nxënës e student.
Temperaturat e ulëta, rastet në rritje të infektimeve tek fëmijët bënë që mësimi të jetë online dhe më e keqja në një rast të tillë është se një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve ta kenë të pamundur ndjekjen e mësimit online, pasi nuk kanë telefonë cilësorë apo internet të mjaftueshëm.
Komuniteti rom shquhet për problematikat dhe vështirësitë në fusha të ndryshme shoqërore e sociale. I tillë është edhe rasti i 8- vjeçares Melisa e cila është në klasë të dytë dhe nuk ka mundësi të ndjek mësimin përmes platformave pasi nuk ka një telefon si shokët dhe shoqet e klasës. Ajo është banore në rrugën Irfan Tomini në Tiranë dhe i përket komunitetit rom.
Komiteti i ekspertëve vlerësoi se kjo javë duhej të vazhdonte me mësim online, por vogëlushja nuk mori pjesë në mësim gjatë kësaj jave.
Për fat të keq, prindërit e Melisës nuk dinë as shkrim as këndim që t’a ndihmonin sadopak. E vetmja mësuese në këto kushte për të është një shoqe që e ndihmon në këto ditë larg bangave të shkollës.
Për komunitetin rom, shkollimi për këta fëmijë nuk është vetëm mësimnxënia por integriteti social si dhe pjesëmarrja në diskutime apo dhe socializimi me shokët dhe shoqet e shkollës.
Përshtatur nga Informim.Al / Burimi: Shqiptarja.com
COMMENTS