Një ngjarje jonormale ka ndodhur ditën e pardjeshme në qytetin e Tiranës, ku një i mitur rom shihet në një video amatore duke shkatërruar triçiklin e tij ndërsa policia po ia merr në sekuestro. Videoja e regjistruar nga një shok i djalit që quhet Besjan Roku, u bë virale në rrjet. I shtyrë nga video e publikuar, av. Gentian Serjani gjeti kontakt me persona që e njihnin atë dhe të vëllain Rafaelin, për të marrë më tepër informacion për rastin e tij.
I mituri është 13 vjeç dhe banon përkohësisht në ish-Uzinën Autotraktor. Jeta e tij është e komplikuar: deri para pak kohësh jetonte rrugëve me prindërit që lypin dhe nuk kanë banesë, ndërkohë pas një martese të vëllait të tij gjithashtu të mitur, vetëm 16 vjeç, ata tashmë jetojnë me vjehrrin dhe familjen e tij. Për të mbijetuar, ata kryejnë veprimtari të ndryshme, mbledhje hekurash për skrap dhe mbetjesh të riclikueshme, dhe për këtë, ju nevojitet një mjet i duhur pune, një triçikël me karrocë të lidhur. Dikur, romët mbanin edhe karroca me kalë për të mbledhur, por sot pa një mjet të paktën 110 kubikësh, është e pamundur që të bësh mjaftueshëm para për të mbajtur njerëzit e familjes gjallë.
‘Ishte dymijë lekshi i fundit, i futëm naftë motorit dhe u nisëm për të bërë ndonjë lek.’ thotë 13 vjeçari.
Policia i ndaloi në rrethrrotullimin e Saukut në dalje të vendqendrimit të tyre të përkohshëm, në një vilë të braktisur në kohën e mbretit Zog. Dhuna e treguar ndaj dy të miturve i tejkalon të gjitha nevojat për rastin, ku të dy ata nuk paraqisnin asnjë rrezikshmëri për veten ose të tjerët. I mërzitur dhe i indinjuar që po i merrnin motorin e dytë brenda katër ditësh, ai e godet dhe e shkatërron motorin, para se t’ia marrë policia për të mos e parë më.
‘Katëqindmijë lek borxh ikën, m’i morën,’ tregon ai, i mërzitur. Djali ka dëshirë të rikthehet në shkollë, është inteligjent dhe duket si një i rritur i ngecur në trupin e një fëmije. Në vend që të marrë ndihmë prej institucioneve, ai gjendet i braktisur nga të gjithë dhe në përgjegjësi për t’ia dalë vetë për veten dhe familjarët e tij.
‘Më kanë rrahur dhe mbajtur për shtyllë me duar të lidhura’ tregon më tej i mituri për kamerën e informim.al.
COMMENTS