Me dëshirë dhe me detyrim: Gratë e paguajnë ‘nën dorë’ aksesin në shëndetësi

Me dëshirë dhe me detyrim: Gratë e paguajnë ‘nën dorë’ aksesin në shëndetësi

Pas arrestimit, Alda Klosi në Urgjencën e QSUT, pritet nesër masa e sigurisë
Rryshfeti dhe dhurata në maternitet: PYETËSOR për nënat dhe gratë
Protestë te materniteti i ri në Tiranë: ‘Shëndeti, jo veç nga mundësia për të paguar nën dorë mjekët!’

Gratë e anketuara thonë se shërbimi shëndetësor në maternitet varet nga pagesat nën dorë të personelit – një fenomen që vazhdon ta dëmtojë aksesin në sistemin publik.
Nga Adela Radovani, Tiranë

Më 31 janar, nëna 34-vjeçare e dy fëmijëve humbi jetën vetëm pak orë pasi kreu një abort të detyruar në maternitetin e spitalit të Elbasanit. Pak ditë më vonë, një tjetër grua e re humbi jetën në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Ngjarjet nxitën një protestë të shoqërisë civile, bazuar mbi dyshime të ngritura nga familjarët e njërës prej grave, por hetimet e nisura nuk kanë dhënë ende asnjë rezultat për shkaqet e vdekjeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e përkufizon vdekjen amëtare si “vdekja e një gruaje gjatë shtatzënisë ose brenda 42 ditëve nga ndërprerja e shtatzënisë, pavarësisht nga kohëzgjatja dhe vendi i shtatzënisë, nga çdo shkak që lidhet ose rëndohet nga shtatzënia ose menaxhimi i saj për shkaqe aksidentale ose të rastësishme”.

OBSH rekomandon gjithashtu që çdo grua shtatzanë duhet të ketë minimalisht 4 vizita para lindjes për të zvogëluar rrezikun dhe ndërlikimet e shtatzanisë, por të dhënat e siguruara nga Informim.al tregojnë se shumë prej grave të komunitetit Rom dhe Egjiptian nuk kanë aksesin e duhur në sistemin shëndetësor shqiptar.

Gjatë muajit shkurt, Informim.al kontaktoi me gra të komunitetit Rom në Lanabregas dhe Shkozë, si dhe në Elbasan, Gramsh, Korçë dhe disa rezultate të marra nga qytete të tjera, nëpërmjet anketimit online.
Sipas të dhënave, 1 në 5 gra e kanë kryer lindjen në njërin nga dy maternitetet e Tiranës, ndonëse nuk jeton në kryeqytet; një shifër që rëndon punën tashmë të ngarkuar të këtyre dy spitaleve, që mbajnë mbi supe lindjet e qytetit më të madh të Shqipërisë. Materniteti i vjetër sapo ka dalë nga një rikonstruksion, ku ka tashmë 360 shtretër, e sërish, nga anketimi në terren, morëm dy raste ku gratë ishin larguar më herët sesa duhej nga spitali për shkak të mungesës së shtretërve.

Mes të anketuarave, 18% thanë se shërbimi në maternitet ka qenë i dobët dhe 26% mesatar. Vetëm 27% pohojnë se nuk kanë dhënë ryshfet ose dhurata në maternitet.
“Po nuk pate mundësi, të lënë të vdesësh,” tha njëra prej grave në kushtet e anonimatit.

Dhurata apo ryshfet?

Lindja është për nga aspekti kulturor një ngjarje e rëndësishme në jetën familjare dhe si e tillë, njerëzit presin dhe japin dhurata. Nuk mbetet jashtë këtij gëzimi edhe stafi i maternitetit, të cilët presin çdo ditë falenderime dhe shpeshherë edhe dhurata.

Midis lotëve të gëzimit dhe duarve të vogla të foshnjeve fshihet dhe fytyra tjetër e kësaj pamje idilike; ajo e detyrimit.

“Kërkonin troç para, edhe pastrueset, ‘hajt se je bërë me djalë na qeras’,” tha një nënë e re.
Nënat e intervistuara nga Informim.al ndahen në mënyrë të barabartë mes atyre që thonë se kanë paguar para në maternitet me dëshirën e tyre dhe kanë paguar sepse iu është kërkuar hapur.
Madje në një rast, një grua tha se mjeku i kishte kërkuar para nën dorë në një spital privat, por ndryshe nga ç’ndodh rëndom në spitalet publike, ajo ishte ankuar te drejtoria e spitalit privat pasi e konsideroi kërkesën cenim të të drejtave të saj.

Mes grave të anketuara, vetëm 19 për qind deklarojnë se nuk kanë dhënë ryshfet sepse nuk u është kërkuar – megjithatë gjysma e këtij grupi raportojnë se shërbimi ishte i keq.

Një tjetër problem i shërbimit mjekësor për gratë dhe vajzat janë medikamentet në maternitete. Vetëm 6.5% e grave të anektuara raportojnë se i kanë marrë të gjitha medikamentet falas në spital, ndërsa shumica e tyre duket se u është drejtuar rrjetit të farmacive në zonat ku gjenden këto maternitete.

COMMENTS

WORDPRESS: 0