Vait Gjosha, nga Vora, zotëron 300 rrënjë ullinj, 100 prej tyre janë ulli i vjetër, të mbjella që në periudhën komuniste, ndërsa pjesa tjetër janë mbjellë në këto 30 vjet. Ai thotë se këtë vit, prodhimi i ullinjve është i lartë, kryesisht i pemëve të reja.
Nga vjelja e ullinjve, z. Gjosha përfitoi 550 litra vaj, por i shqetësuar pohon mungesën e tregut dhe kërkesën për çmim nën kosto. “Në tregun e pakicës, vaji i ullirit po shitet me çmim deri në 600 lekë për litër, ndërsa nisur nga kostot, bazuar te shërbimet, pagesat e punëtorëve për vjelje, pagesat e përpunimit, çmimi i vajit duhej të shitej 800 lekë për litër. Për këto arsye, të gjithë vajin e prodhuar këtë vit do ta mbaj në shtëpi, nuk do ta nxjerr në shitje”, pohon ai.
Me këto çmime shitje, Vait Gjosha nuk e sheh me interes të shtojë rrënjët e ullirit. Pengesë tjetër është mungesa e fuqisë punëtore. “Toka e ulishtave punohet me frizë (mjet që përdoret me dorë, por vihet në punë me karburant), pasi zetori nuk mund të hyjë në zonën kodrinore të ullishtës.
Nga ana tjetër, në zonën tonë nuk gjejmë më punëtorë për vjeljen e ullirit, pasi janë larguar në emigracion. Pagesa për punëtorët varion nga 2,000 deri në 2,500 lekë dita, por nuk gjejmë punëtorë. Edhe fëmijët tanë janë larguar në emigracion, të vetëm nuk mund t’i punojmë ullishtat”.
Janë të shumtë fermerët që këtë vit po vuajnë mungesën e tregut për shitjen e vajit të ullirit. Ilmi Kajmaku, nga fshati Ishëm i Durrësit, i cili zotëron 7 rrënjë ullinj, pohon se do ta mbajë në shtëpi prodhimin e këtij viti prej 200 litrash, pasi në treg vaji po kërkohet nën kosto.
Ai pohon se prodhimi i këtij viti arrin rreth 200 kg ullinj për rrënjë, e njëjtë me prodhimin e vitit 2012, që konsiderohet periudha me rendimentin më të lartë.
Për vitet 2009-2021, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tendenca e prodhimit të vajit të ullirit është e luhatshme. Në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 tonë vaj ulliri. Krahasuar me 2011-n, prodhimi u rrit 50%.
Në 2013-n, prodhimi shënoi rënie me 23%. Përpunuesit shpjegojnë se rënia erdhi tërësisht nga prodhimi i kufizuar i ullirit, pasi ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit. Në periudhën 2009-2019, tendenca e prodhimit është e luhatshme.
Në 2019-n u prodhuan 20 mijë tonë vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë, prodhimi shënoi rritje të lehtë në 2%. Në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.
Sezoni i vjeljes dhe përpunimit të ullirit përkon me muajt tetor-nëntor dhe dhjetor. Zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, nënvizoi për “Monitor” se deri në fund të kësaj periudhe, pritet që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se ajo e vitit të kaluar.
Rritjen e prodhimit, z. Kote e lidh me shtimin e rrënjëve të reja të ullirit dhe të shërbimeve që fermerët kanë bërë me ullirin dhe kushtet klimatike.
Këtë vit, kultura e ullirit është përfshirë edhe në skemën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, duke përfshirë, për herë të parë, rimbursimin e barrës fiskale edhe për fermerët që kultivojnë ullirin.
Masa mbështetëse nr. 5 mbi përdorimin e fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural parashikon subvencionimin në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore për ullirin e mbjellë, por jo më shumë se 175,000 lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 500,000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.
Pse mungon tregu i shitjes së vajit të ullirit?
Mbiprodhimi ka krijuar kaos në tregun e shitjes së vajit të ullirit. Drejtues të fabrikave përpunuese pohojnë se, nëse prodhimi i vajit është deri 40% më i lartë se viti paraardhës, rrezikon të kthehet në bumerang, pasi mungon tregu i brendshëm për shitje, ndërsa eksportet vijojnë të jenë në sasi të ulëta.
Në tregun e brendshëm, informaliteti vijon të mbetet i lartë për sektorin prodhues të vajit të ullirit. Shumë fermerë e shesin vajin e ullirit në tregun e zi të paambalazhuar. Burime nga përpunuesit e vajit të ullirit thanë se 95% e produktit shitet në informalitet, vetëm 5% e tij shitet në supermarkete.
Dëmtimi i konkurrencës nga informaliteti i lartë, si dhe kostot e larta administrative, duke përfshirë ambalazhimin dhe taksat, e ka kthyer produktin e formalizuar të paleverdishëm nga çmimi.
Ylli Hajdini, administratori i kompanisë “S.E.D – Borshi”, një ndër prodhuesit e mëdhenj të vajit të ullirit, pohon se deri tani nga ullinjtë që u ka blerë fermerëve shqiptarë disponon në depozita 150 deri në 160 tonë vaj ulliri.
Edhe pse zotëron kapacitet për rritjen e përpunimit, z. Hajdini nënvizon se nuk mund të blejë më tepër sasi, pasi tregu është i mbingopur nga vaji i fermerit, ndërsa shitjet në supermarkete të vajit të ambalazhuar shqiptar janë në minimum. Situata është krijuar nga çmimi.
“Vajin e ullirit te fabrikat e përpunimit, fermerët e shesin me çmim 400 deri në 420 lekë për litër. Duke i shtuar vajit të blerë 360 lekë për litër, kostot administrative (që përfshijnë detyrimet fiskale, pagat e punonjësve, energjia, karburantet.
Ndërsa 75 deri në 110 lekë varion vetëm kostoja për blerjen e ambalazhimit, si shishet e qelqit dhe tapat dhe etiketat). Kosto tjetër e shtuar është prej 160 lekë për litër është edhe TVSh në shitje, prej 20%. Me heqjen e skemës së kreditueshme, gjithë barrën e TVSh-së e mban grumbulluesi.
Bazuar mbi këto kosto, çmimi i përpunimit të vajit të ullirit arrin në 760 lekë për litër. Përpunuesi e shet në supermarkete vajin me çmim 800 deri në 820 lekë për litër. Nga supermarketet, duke përfshirë edhe normën e tyre të fitimit, shitet 980 deri në 1,000 lekë për litër.
Në këtë situatë, konsumatori do të kërkojë të blejë vaj ulliri me çmim 500 deri në 600 lekë për litër që po shitet drejtpërdrejt nga fermeri apo 1,000 lekë për litër që tregtohet në supermarkete?”.
Z.Hajdini shton se në vend nuk ka fuqi konsumatore për kaq shumë vaj të prodhuar, për shkak të traditës së konsumit të ulët të vajit në vend, krahasuar me fqinjët dhe Europën.
Në Shqipëri, për shkak të informalitetit të lartë, konsumi i vajit të ullirit është i pamatshëm. Sipas vlerësimeve për 25,882 tonë vaj ulliri të prodhuar në 2021, duke pasur parasysh popullsinë, konsumi i dukshëm i vajit të ullirit për frymë vijon të jetë më pak se 1 litër në vit.
Në Europë, sipas të dhënave të Qendrës Europiane të Importeve (CBI) konsumi i vajit të ullirit u vlerësua në 1,46 milionë tonë në vitin 2021, që është afërsisht gjysma e konsumit të përgjithshëm botëror. Italia dhe Spanja janë konsumatorët më të mëdhenj të vajit të ullirit në BE, me konsum vjetor prej rreth 500,000 tonësh secili, ndërsa Greqia ka konsumin më të madh të BE-së për frymë, me rreth 12 kg për person në vit.
Konsumi për frymë i vajit të ullirit në vendet e BE-së me përjashtim të Italisë, Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë parashikohet të rritet me rreth 4% në vit, por do të mbetet relativisht i ulët (1.3 kg/person deri në vitin 2025). Në të njëjtën kohë, konsumi mesatar për frymë në Itali, Spanjë, Portugali dhe Greqi pritet të bjerë nga 9.3 kg/person në 2021 në 8.9 kg/personi në 2025.
Heqja e skemës së TVSH-së shtoi kostot e përpunuesve
Heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së nga 1 janari 2022 dëmtoi edhe industrinë e përpunimit të vajit. Për disa grumbullues, problemi kryesor në këtë industri mbetet shtimi i kostove nga moskreditimi i TVSH-së.
“Skema e TVSH-së së kreditueshme filloi të krijojë probleme që në vitin 2019. Prodhuesit me xhiro mbi 14 mln lekë në vit për blerjet e ullinjve te fermeri rimbursoheshin 6%, ndërsa në momentin që vaji shitet me 20% TVSH, humbjet janë 14%.
Me heqjen e TVSH-së së kreditueshme, kostot e prodhuesit në shitje janë të larta, si rezultat interesi për të grumbulluar më shumë ullinj ka rënë”, pohoi në anonimat një grumbullues dhe përpunues i vajit të ullirit në zonën e Beratit.
COMMENTS