“Fishat e diabetit do të përfitohen falas edhe për grupmoshën mbi 65 vjeç duke filluar nga ky vit”, deklaroi Ministrja Ogerta Manastirliu gjatë konferencës vjetore me gazetarët, për arritjet e vitit 2022 dhe prioritetet e vitit 2023. Ajo tha se qeveria ka vendosur zgjerimin e fashës përfituese dhe nëse deri tani kjo kategori përfshinte fëmijët dhe të rinjtë deri 23 vjeç, gjatë 2023 edhe pensionistët +65 vjeç, nga ku do të përfitojnë mbi 50 mijë pensionistë.
Por sa efektive ka qenë deri tani skema e rimbursimit të fishave të diabetit?
Aparati i diabetit dhe fishat përkatëse janë të domosdoshme për çdo person diabetik, që të kontrollojë nivelin e glicemisë në gjak. Për diabetin tip I, ky kontroll është i barazvlefshëm me jetën, sepse një rënie e papritur e glicemisë mund të çojë në vdekje. Moshat më të rrezikuara janë fëmijët, të cilët nuk munden ta mbajnë sëmundjen e tyre nën kontroll. Buxheti i 2019 futi në skemë të gjithë të rinjtë deri 25 vjeç për të përfituar fisha falas, nëpërmjet sistemit shëndetësor, duke aplikuar pranë ambulancës. 1500 janë furnizuar me fisha gjatë 2018, ku prindërit i tërhiqnin tek farmacia e Spitalit QSUT. Gjatë atij viti, kemi ndjekur raste specifike të disa fëmijëve. Nënat shpreheshin se procedurat ishin të lodhshme, një herë në gjashtë muaj duhet të udhëtonin pranë QSUT. Fishat që ato merrnin falas, Smart Check, ishin jocilësore dhe nuk arrinin të merrnin të dhëna të sakta prej tyre. Nëse të dhënat nuk janë të sakta, është e kotë që të diskutohet që këta persona po kontrollojnë vërtetë gliceminë e tyre.
Ministrja Manastirliu tha se këtë vit rritet financimi me 4 milion dollarë për Listën e Barnave të Rimbursueshme për trajtimin e sëmundjeve kronike, duke e çuar në 11.4 miliard lekë. Problemet me barnat e rimbursueshme, vazhdojnë të duken qoftë me shenjat e thjeshta, ku pranë farmacive të mëdha që kanë kontratë me Fondin, sheh rëndom kuti të tëra barnash të hedhura, pasi të sëmurët nuk i përdorin. Shkaku mbetet cilësia e ulët e këtyre barnave.
COMMENTS