Është një fakt i trishtueshëm që jetojmë në një botë ku të drejtat e njeriut dhe liritë civile shkelen në mënyra të tmerrshme në baza ditore dhe asnjë shtet në bote nuk është imun ndaj kësaj.
Dita e Diskriminimit Zero qëndron si një kujtesë që të gjithë duhet të vazhdojmë “luftën” për të krijuar shoqëri më të vërtetë, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.
Nje prej shembujve të formave të shumta të diskriminimit që njerëzit vazhdojnë të hasin, është diskriminimi fetar i cili vazhdon të jetë një problem global, edhe pse liria fetare është një parim bazë që duhet mbështetur në çdo shoqëri moderne dhe njerëzit nuk duhet të persekutohen në bazë të bindjeve të tyre.
Selma Llagami, 21-vjeç, studente në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, besimtare praktikante muslimane, shpjegoi në një intervistë për Informim.al se ka përjetuar diskriminim istitucional dhe më tej shpjegon se cilët janë faktorët kryesorë që mund të ndihmojnë për të ndaluar diskriminimin ndaj vajzave me shami në Shqipëri.

Selma LLagami, studente e Arkitekturës dhe Urbanistikës
Intervista e plotë:
Bazuar në përvojën tënde personale si vajzë e mbuluar a keni qënë ndonjëherë në shënjestër të diskriminimit institucional apo në jetën shoqërore? Nëse po, si jeni ndjerë?
E kam ndjerë veten vetëm një herë në shënjester të diskriminimit institucional, gjatë shkollës 9-vjeçare. Atëherë mu tha se meqenëse isha e mbuluar nuk mund te isha nxënëse e një shkolle publike, ndodhí kjo që u përsërit sigurisht edhe gjatë kohës së gjimnazit. E megjithatë i pata mbushur mendjen vetes se në një shkollë jo-publike do të kisha mundësinë e një arsimimi më të mirë. Tani që e rikujtoj, kam përshtypjen se ky mendim më erdhi nga pamundësia për të bërë diçka për ta ndryshuar këtë çështje. Por, nuk mund të lë pa përmendur faktin se ndryshe nga unë që me pak sforco nga familja mu krijua mundesia të studioja në një shkollë publike, një shoqja ime e klasës në 9-vjecare (edhe ajo e mbuluar) bënte një vit shkollë dhe një vit pushim. Kuptohet që kjo ndodhte nga pamundësia financiare.
Përsa i përket jetës shoqërore, nuk jam ndjerë ndonjëherë e diferencuar. Madje në grupe të ndryshme shoqërore në shkollë, kurse apo trajnime kam vënë re entuziazëm dhe kuriozitet tek pjesëtarët e tjerë për të më njohur dhe për të punuar me mua. Kjo më bën të mendoj se ndoshta ky diskriminim që shumë gra dhe vajza të mbuluara hasin për shkak të mbulesës i përket një brezi tjetër. Mendim ky që më pëlqen shumë ta besoj.
A është e lehtë të jesh vajzë me shami? A mund të na flisni pak për politikat, stigmat shoqërore ose sfidat me të cilat ballafaqohen vajzat me shami në Shqipëri?
Kam dëgjuar mjaft histori nga të njohur e të panjohur në lidhje me intervista pune të refuzuara me arsyen se institucionet apo objektet nuk dëshirojnë të kenë pjesë te imazhit të tyre një vajzë me shami. Duke i shtuar kësaj faktin se kur bëhet fjalë për pozicione pune që nuk janë në kontakt me publikun, një pjesë e mirë objekteve në fjalë nuk tregohen diskriminues. Me pak fjalë, disa prej tyre i tremben opinionit të publikut. Nuk dua “t’i fus të gjithë në një thes”, por opinioni i publikut është sot për sot një nga problemet që e ndrydh shoqërine shqiptare në përgjithësi dhe diferencon vajzat e mbuluara në veçanti.
Përsa më përket mua, të jem një vajzë e mbuluar është shumë e lehtë, gati e papërfillshme nëse do ta trajtonim në sensin e peshës. Kjo jo sepse Shqipëria është ‘fushë me lule’ në këtë çështje, por sepse unë i di vlerat e mia, i kam të qarta parimet dhe idealet dhe investoj tek vetja në mënyrë të vazhdueshme. Fundja, as unë nuk do të doja të isha në shoqërinë e dikujt apo të punoja me dikë që mbulesën time e shikon si një murë që më ndan nga dituria, informimi apo vlerat morale. Kur vjen fjala për individ të tillë, jam unë ajo që tregohem diskriminuese: diskriminuese ndaj të palogjikshmes dhe injorancës.
Cilët janë disa nga faktorët kryesorë që mund të ndihmojnë për të ndaluar diskriminimin ndaj vajzave me shami në Shqipëri?
Mendoj se diskriminimi është zgjedhje, prandaj nuk e di nëse mund të bëhet diçka për ta ndryshuar ne aspektin social. Këtu nuk kemi të bëjmë me fëmijë të cilëve duhet t’i mësojmë se ç’është e drejta dhe e gabuara. Kemi të bëjmë me njerëz të përgjegjshëm ndaj vetes dhe mendimeve të tyre. Në aspektin politik, sanksioimi i ligjeve per të dënuar gjuhën e urrejtjes ndaj vajzave dhe grave të mbuluara si dhe përfshirja e planifikuar e tyre në institucione publike do të bënte një ndryshim të madh.
A mund të përmbledhësh shkurtimisht si e trajton Islami diskriminimin?
Nuk dua të rreshtoj citate, edhe pse në Kur’an dhe në transmetimet e profetit tonë (paqja e Zotit qoftë mbi të) gjenden pafund citate që dënojnë diskriminimin. Dua të përmend vetëm njërin prej tyre: ‘O ju njerëz, vërtet ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se më i miri tek Zoti është ai që është më i moralshmi’
Mendon se islamofobia është më e përhapur në Shqipëri sesa sygjerojnë të dhënat në dispozicion?
Po, dhe është një PO e madhe. Jam e sigurt se të dhënat në dispozicion nuk i marrin në konsideratë gjithë mllefin dhe ofendimet që qytetarët hedhin mbi vajzat me shami në rrugë. Islamofobia dhe çdo lloj tjetër racizmi është një sirenë alarmi për të gjithë.
Sa e rëndësishme është rishikimi i kurrikulave arsimore, mbikëqyrja e sjelljeve diskriminuese të nënpunësve të shtetit ,të punëdhënësve, kundrejt muslimanëve, veçanërisht vajzave me shami?
Siç e përmenda edhe më lart, sanksionimi i ligjeve që dënojnë sjelljet diskriminuese që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, si dhe përfshirja e grave dhe vajzave të mbuluara është një hap shume i rëndësishëm për të shuar sadopak islamofobinë. Jo më larg se në luftën e dytë botërore gjejmë shembuj të asaj çfarë diskriminimi fashist dhe anti semitist i ka kushtuar botës. Neofashizmi tashmë në fokusin e tij nuk ka më anti-semitizmin, por eshte kthyer ne një makineri propaganduese të anti-islamizmit. Që historia të mos përsëritet në një tjetër formë të ngjashme, duhen marrë masa për eleminimin maksimal të islamofobisë dhe llojeve të tjera të diskriminimit.
Cili është mesazhi juaj në ditën ndërkombëtare kundër diskriminimit?
Mesazhin tim dua ta sjell në formën e një kërkese. Një kërkesë për gjitha vajzat dhe gratë e mbuluara që të investojnë intelektualisht tek vetja që të jenë sa më të denja për tu përfshirë politikisht, në menyrë që t’i bëjmë ne vetë ndryshimet që duam të shohim ne shoqërinë që jetojmë. Një shoqëri pa dallime dhe shumë bashkëpunuese për një Shqipëri të madhe.
Por si e shohin njerëzit që e kanë përjetuar diskriminimin këtë ditë?
Stili Azisllari, 43-vjec i përket grupit të personave me kufizime në gjymtyrët e poshtme. Ai jeton me familjen dhe të gjithë lëvizjet i kryen me një karrocë me rrota.
Stili tregon se si ka kërkuar ndihmë për këtë target-grup po ai shprehet shumë i zhgënyer me shtetin shqiptar sepse personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri janë lënë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve.

Stili Azisllari
“Personat me aftësi të kufizuar veçanërisht në kushtet e pandemisë kanë qënë më të diskriminuar dhe më të izoluar për vetë faktin që nuk ka shtet. Shteti nuk të garanton asgjë. Këtu nuk ka qeveri, nëse nuk ke lekë vetë ske asgje sepse shteti i harron këta njerëz si puna ime. Unë dua një karrocë me bateri dhe shteti nuk ma mundëson as edhe këtë nevojë timen të vetme. E kam pasur me parë por e kam blerë vetë, nuk më ka ndihmuar as shoqatat as bashkia as qeveria sepse personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri janë lënë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve. Tashmë nuk e kam më dhe një të tillë unë e dua pasi ma lehtëson shumë lëvizjen një e tillë. “-përfundon ai.
Brixhida Muça është mamaja e një djali 17-vjeçar, i cili ka lindur me sindromën e autizmit. Ajo na tregon se po e menaxhon këtë sprovë të jashtëzakonshme ajo si prind dhe djali i saj adoleshent.

Brixhida Muca, mamaja e Muenis Mashës

Muenis Masha
“Në kushtet e pandemisë ato të drejta që kanë pasur më parë i’u janë kufizuar. Nuk i’u është ofruar kompensim. Po të shohësh jashtë vendit këto fëmijë kanë nevoja të cilat nuk janë këtu në Shqipëri. Të tilla si qendrat ditore dhe qendrat rezidenciale. Qendër ditore të tilla që çon fëmijën në mëngjes dhe ta marrësh pasdite në mënyrë që të bëjë aktivitete të ndryshme për t’u zhvilluar, për t’u bërë sa më social dhe për të përftuar sa aftesi pavarsie të vetëkontrollit dhe të vetëmenaxhimit të vetes. Kjo qendër nuk ekziston këtu në vendin tonë. Edhe pse është fondacioni i fëmijëve shqipëtarë, por ky fondacion jep shërbime teraupetike me orë pra nuk eshte me ditore dhe rezidenciale sepse ke prinder që mundet te jetë një prind i vetëm ose të ketë vdekur, nesër kush do të kujdeset për të.
Gjithashtu diçka që përbën problem është fakti që këtu tek ne nuk ekziston shërbimi i asistentëve që vijnë në shtëpi që rrinë 4 ose 5 orë dhe që prindërit kanë nevojë për të bërë një pushim apo shërbim ndaj vetes për të shkuar tek mjeku sepse prindi duhet të jetë shumë i/e fuqishme për të përballuar problemin qe ka. Pra nuk ka këto rrethanat lehtësuese si në shtetet e tjera. Duhet të ketë politika shteti.”
Më tej Brixhida shprehet që hasin diskriminim të vazhdueshëm në shoqëri dhe më poshtë përmend vetëm një nga rastet e ndodhur së fundmi.
“Ishim në procedurat e kempit dhe duhet te shkonim në ambulancën e madhe tek 9-të katshet për të shkuar për të bërë dokumentat dhe ekzaminimet e kempit. Shkojmë atje dhe nuk figuron emri i djalit sepse para 2-3 vitesh u ndërrua doktori dhe na kaluan në një qender tjetër. Mirëpo dokumentat nuk i kishin bërë, ndërkohë që më thotë dokumentat nuk i ke këtu shko gjeji ku i ke. I gjej, i marr dokumentat ne zarf dhe i’a coj dhe doktoreshës
Atë ditë do të bëheshin dhe ekzaminimet. Shkuam atje dhe doktoresha erdhi 50-të min me vonesë dhe me gjithë tonalitet më thotë dilni perjashta sa të bëj gati dokumentat. Por unë ia bëj me dije se djali nuk mund të dalë jashtë se është autik dhe se nuk kam si ta bëj të kuptojë se nuk dëgjon por duke mos parë zgjidhje tjerër i mbusha me lot dhe dola jashtë.
Në atë moment nisi djali me ulërima duke më gjuajtur, duke i gjuajtur vetes, duke i gjuajtur murit. Doktoresha nuk më futi brenda derisa mbarou procesin dhe nxjerr infermieren jashte sepse e pa se çfarë po ndodhte jashtë dhe më tregon pastaj se çfarë procesi duhet të ndjek. Është shumë interesante sepse ka doktorë që nuk janë të informuar se çfarë është autizmi dhe si duhet vepruar me këto fëmijë.”-përfundon Brixhida Muça. @informim.al
COMMENTS