Nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi do të dalin sot para gjykatës, pas arrestimit për grabitjen e një shtëpie në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë.
Mësohet se banesa e grabitur i përket Alda Klosit, e cila ka qenë drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Ekonomisë drejtuar nga Arben Ahmetaj dhe më pas shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit. Policia e Tiranës thotë se shuma në cash bashkë me bizhuteritë e grabitura në banesën e ish bashkëpunëtores së ngushtë të Arben Ahmetajt, arrin shumën e 120.000 eurove.
Në intervistë për euronews, bashkëshorti dhe babai i nënë e bir, deklaron se ishte ajo që ka kryer të gjith krimet. Përshtypje të lë banesa prej nga zotëria flet, kushtet e mira të jetesës dhe veshja e tij. Ngjarja është e rrethuar nga misteri, jo vetëm për mënyrën si janë kryer grabitjet por dhe për burimin e këtyre parave të vjedhura.
Seanca ka nisur në orën 10:30.
Alda Klosi ka qenë një zyrtare e lartë, teksa vjedhja në banesën e saj, e cila jetonte bashkë me vajzën, ka ndodhur më 15 dhjetor të vitit 2022. Ditën e djeshme, në banesën e nënë e bir, u gjetën rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri pas një kontrolli të ushtruar nga forcat e policisë, që dyshohet se janë vjedhur nga banesa e Klosit. Shërbimet e Policisë gjetën të fshehura paratë dhe aksesorët e floririt në tubin e aspirimit.
Nënë e bir u arrestuan dy ditë më parë, të dyshuar për vjedhjen e një shume rreth 120 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë, po në banesën e Klosit, ku gruaja punonte si sanitare. Në total shuma e vjedhur nga Rozeta Dobi është rreth 540 mijë euro, teksa Klosi pretendon se asaj i janë vjedhur 30 mijë euro, të cilat i ka deklaruar.
COMMENTS