Çdo vit, rreth 120,000 raste të diagnostikuar me kancer janë të lidhura me punën dhe ndodhin si rezultat i ekspozimit ndaj kancerogjenëve në punë në BE, duke çuar në afërsisht 80,000 viktima në vit. Për të përmirësuar mbrojtjen e punëtorëve nga kanceri, Komisioni ka propozuar sot të kufizojë më tej ekspozimin e tyre ndaj kimikateve që shkaktojnë kancer. Ky rishikim i katërt i Direktivës së Kancerogjenëve dhe Mutagjenëve përcakton vlera kufitare të reja ose të rishikuara për tre substanca të rëndësishme: akrilonitrili, përbërjet e nikelit dhe benzeni.
Vlerësimet tregojnë se më shumë se 1.1 milion punëtorë në një gamë të gjerë sektorësh do të përfitojnë nga mbrojtja e përmirësuar falë rregullave të reja. Propozimi i sotëm është iniciativa e parë e angazhimit të Komisionit për të luftuar kancerin sipas planit të ardhshëm për mposhtjen e Kancerit në Evropë.
Nicolas Schmit, Komisioner për Punë dhe të Drejta Sociale, tha: “Një vend pune duhet të jetë një vend i sigurtë, megjithatë kanceri është shkaku i gjysmës së vdekjeve të lidhura me punën. Përditësimi i sotëm i Direktivës së Kancerogjenëve dhe Mutagjenëve është një nga hapat e parë në planin tonë ambicioz për të mposhtur kancerin. Kjo tregon se ne jemi të vendosur të veprojmë dhe nuk do të bëjmë kompromis për shëndetin e punëtorëve. Në sfondin e krizës së madhe shëndetësore për shkak të COVID-19, ne do të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar që punëtorët në Evropë të mbrohen. Ne do të shqyrtojmë mënyra konkrete se si ta arrijmë këtë përmes kornizës së ardhshme strategjike të sigurisë dhe shëndetit në punë. “
Stella Kyriakides, Komisionere për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, tha: “Ulja e vuajtjeve të shkaktuara nga kanceri është një përparësi për ne dhe për ta bërë këtë, parandalimi është thelbësor. Sot ne jemi duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të mbrojtur punëtorët tanë nga ekspozimi ndaj substancave të rrezikshme në vendin e punës dhe për të filluar punën tonë për planin për mposhtjen e kancerit në Evropë. Me këtë plan do të synojmë të trajtojmë faktorët kryesorë të rrezikut të kancerit për të gjithë, por gjithashtu të udhëzojmë pacientët në çdo hap të udhëtimit të tyre dhe të kontribuojmë në përmirësimin e jetës së të prekurve nga kjo sëmundje. “
Tri vlera kufitare të reja ose të rishikuara;
Direktiva e Kancerogjenëve dhe Mutagjenëve azhornohet rregullisht në përputhje me provat e reja shkencore dhe të dhënat teknike. Tre azhornime të mëparshme kanë adresuar ekspozimin e punëtorëve ndaj 26 kimikateve. Propozimi i sotëm shton kufij të rinj ose të rishikuar të ekspozimit në punë për substancat e mëposhtme:
Akrilonitrile (kufiri i ri);
Komponimet e nikelit (kufiri i ri);
Benzol (kufiri i rishikuar poshtë)
Përfitimet për punëtorët dhe ndërmarrjet;
Futja e kufijve të rinj ose të rishikuar të ekspozimit në punë për akrilonitril, përbërjet e nikelit dhe benzenit do të ketë përfitime të qarta për punëtorët.
1. Rastet e kancerit të lidhura me punën dhe sëmundjeve të tjera të rënda do të parandalohen, duke përmirësuar shëndetin dhe cilësinë e jetës.
2. Propozimi do të sjellë përfitime për kompanitë duke ulur kostot e shkaktuara nga sëmundjet e lidhura me punën dhe kanceri, të tilla si mungesat në punë dhe pagesat e sigurimeve.
Zhvillimi i propozimit dhe hapat e ardhshëm
Kjo iniciativë është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me shkencëtarë dhe me përfaqësues të punëtorëve, punëdhënësve dhe shteteve anëtare të BE-së. Partnerët socialë (sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve) u përfshinë gjithashtu përmes një konsultimi në dy faza.
Propozimi i Komisionit tani do të negociohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli.
COMMENTS