Ku do të shkojë Tirana, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit rritet 17% për 9 mujorin, arrin rekord historik

Ku do të shkojë Tirana, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit rritet 17% për 9 mujorin, arrin rekord historik

Mbërrijnë edhe 182 qytetarë afganë në Shqipëri
Sigurimet vullnetare, në pakicë dhe në rënie të mëtejshme
Tentoi t’i kalonte fshehurazi, bllokohen 17 mijë euro në Kapshticë. Procedohet 56-vjeçari nga Turqia

Prej disa vitesh kryeqyteti i vendit është kthyer në një kantier ndërtimi. Fundi i këtij cikli nuk dihet kur do të mbarojë, teksa ndërtimet pritet të vijojnë me ritme edhe më të larta.

Sipas të dhënave të bëra publike sot nga INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit që është dhënë nga Bashkia Tiranë për 9 mujorin e këtij viti është 1.46 milionë metra katror.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipërfaqja e dhënë për ndërtim është rritur me 16.7%.

Ky është niveli më i lartë i lejeve i dhënë ndonjëherë për kryeqytetit, të paktën që nga viti 2002, kur INSTAT raporton sipërfaqen e lejeve të dhëna sipas qarqeve.

Sipërfaqja më e lartë është dhënë në 3 mujorin e parë të vitit, me rreth 800 mijë metra katror, shifër që ishte gati dy herë më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në tremujorin e dytë ky tregues ishte 390 mijë metra katror, pothuajse në të njëjtat nivele në raport me prill-qershor 2021. Ndërsa në tremujorin e tretë sipërfaqja zbriti në 271 mijë metra katror, me një rënie prej 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vlerë, ndërtesat që pritet të ngrihen në Tiranë për 9 mujorin llogariten nga INSTAT në 51 miliardë lekë, ose gati 440 milionë euro.

Për gjithë Shqipërinë, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për 9 mujorin ishte 2.1 milionë metra katror, nga e cila gati 70% është dhënë në Tiranë.

Vlera e gjithë lejeve të dhëna për Shqipërinë për 9 mujorin është 86 miliardë lekë, ose rreth 740 milionë euro.

Ulen lejet në tremujorin e tretë

Sipas INSTAT, Në tremujorin e tretë 2022 janë miratuar gjithsej 269 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 442 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 39,1%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2022, është 418.685 m2, nga 564.266 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 25,8% (tab.3).

Në tremujorin e tretë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21,6 miliardë lekë, nga 22,5 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 3,8%.

COMMENTS

WORDPRESS: 0