Në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) vuri theksin te problemet e fushatës dhe më pas procesit të votimit në zgjedhjet lokale të 2023.
“Mungesa programesh politike dhe fokusim në gjuhën e urrejtjes ndaj kundërshtarit ishin karakterizuese të fushatës. Disa prej premtimeve ishin jashtë kompetencave të bashkive dhe të tjerat, vetëm premtime infrastrukturore. Mungonte fokusi në grupet vulnerabël, gratë, grupet me aftësi të kufizuara si dhe minoritetet.” theksoi Dritan Taula.
“Fushata ishte e polarizuar e dominuar nga drejtuesit politikë në nivel qendror, dhe në mungesë të theksuar të figurës së kandidateve. U përdor gjuha denigruese, sulmet dhe fyerjet ishin dominuese duke e kthyer në diskurs personal mes figurave politike, kundërshtarët politikë janë konsideruar si armiq që duhen larguar nga gara politike sesa si kundërshtarë në garë elektorale. Veçojmë si problematike deklaratën e kryeministrin Rama lidhur me bashkitë nuk do marrin fonde aty ku fiton opozita”
Vëzhguesit e KRIIK kanë gjetur disa shkelje gjatë procesit të votimit të mbajtur një ditë më parë, për qeverisjen lokale, që kanë ndikuar në integritetin e votës së qytetarëve. Përfaqësuesit e KRIIK thanë se në qendrat e votimit qëndruan njerëz të paautorizuar duke intimiduar zgjedhësit, duke shkaktuar edhe konflikte mes përfaqësuesve të subjekteve politike. U vu re edhe votim familjar apo forma të ndryshme në shkelje të ligjit.
COMMENTS