Projektligji i kthen spitalet në autonome në kurriz të një shërbimi të drejtë shëndetësor
Ligji i ri për spitalet, i cili ka kaluar tashmë Komisionin Parlamentar të Shëndetësor dhe pritet të diskutohet në Parlament, përfshin dy pika të reja, të cilat rrezikojnë rëndë, në mos kolapsojnë, krejt sistemin shëndetësor qendror të Republikës së Shqipërisë. Baza e këtyre ndryshimeve është kthimi i spitaleve shtetërore në autonome, të cilat, më pas, do kenë të drejtë të pranojnë që mjekët të ofrojnë shërbim shëndetësor privat brenda ambienteve të spitalit, me çmime që do të përcaktohen nga bordet përkatëse së spitaleve publike.
Sipas nenit 23, pika 4, ‘Për pacientin e shtruar apo ambulator, spitalet publike kanë të drejtë të ofrojnë, jashtë sistemit të referimit, korsi preferenciale shërbimi kundrejt tarifave të përcaktuara me vendim të bordit drejtues.’
Sipas nenit 27, pika 1, ‘Mjekët në spitale publike kanë mundësi të ofrojnë jashtë regjimit të punës së përcaktuar nga punëdhënësi, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, shërbime të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit.’ Kjo do emërtohet praktikë e dyfishtë e mjekëve dhe do kryhet brenda ambienteve të spitalit publik. Pika 2, thotë se ‘Spitali që mundëson praktikën e dyfishtë, miraton me vendim të bordit drejtues, kategorinë e shërbimeve të konsultave ambulatore, tarifat përkatëse, si dhe modelin e kontratës së shërbimit me mjekun që ushtron praktikën e dyfishtë në mjediset e spitalit publik, pa cenuar ofrimin e shërbimit spitalor publik.’
Praktika e kalimit të pacientëve nga spitali publik drejt klinikave private, në mënyrë abuzive, është një situatë e cila njihet prej vitesh në Shqipëri, pavarësisht se mjekët nuk e pranojnë atë në formë direkte. Tashmë kjo praktikë do legjitimohet, dhe me nenin 23 legjitimohet edhe trajtimi preferencial, për ata pacientë që kanë më shumë para për të paguar. Shëndetësia e blerë me para kthehet në legjitime.
Projektligji që është depozituar në maj të vitit 2022, ka kaluar dhe është miratuar tashmë nga komisioni i ligjeve, nga ku vetëm dy grupe interesi nga shoqëria civile dhe pacientë kanë dhënë mendim. Të dyja grupet kanë paraqitur shqetësim për ofrimin e shërbimit privat të mjekëve brenda mjediseve të spitaleve publike, shqetësime që nuk janë marrë parasysh.
Në korrik të 2022, ministrja Manastirliu deklaronte se projektligji do të ishte ‘një pikë kthese për shërbimin spitalor’, po nuk e dimë se në cilin drejtim do shkojë kjo kthesë nëpër korsitë e shërbimit shëndetësor shqiptar. Spitali Memorial i Fierit, një bashkëpunim midis shtetit shqiptar dhe atij turk, ende i paqartë në nivel menaxhimi, deklarohet se do të jetë i pari ku do të zbatohet kjo autonomi e parashikuar nga ky projektligj. Kujtojmë se çfarë parashikohet të jetë ky spital ‘dhuratë’:
Presidenti i Turqisë, Tayiip Erdogan, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Shqipëri, në lidhje “Skype” nga Ankaraja, deklaroi gjatë ceremonisë së përurimit të spitalit “Memorial” Fier, se ky spital u ndërtua si dhuratë për qeverinë shqiptare. Burimi: Pamfleti.net
Ky spital është kthyer në autonom me VKM nr 687 datë 26.10.2022, para kalimit të projektligjit Për Shërbimin Spitalor.
Projektligji i ri, rrezik i rëndë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri
Projektligji rrezikon që të lejojë diskriminim në marrjen e shërbimit shëndetësor për komunitetet e varfra dhe te margjinalizuara, të cilat nuk kanë mundësi financiare për të paguar për marrjen e shërbimit shëndetësor në “korsitë preferenciale”. Ka mjaftueshëm të dhëna nga raporte të mbledhura në vite se diskriminim në bazë të mundësive për të paguar ekziston, qoftë në mundësitë për një pacient të varfër për të bërë analiza të veçanta që nuk ofrohen fare nga spitali publik.
Neni 27 thotë se praktika e dyfishtë e shërbimit nuk do shkaktojë ulje të cilësisë së shërbimit të dhënë falas në spital në bazë të sistemit të referimit, por nuk ka asnjë sqarim se cili mekanizëm a sistem monitorues do e sigurojë që diçka e tillë nuk do ndodhë. Nga aspekti logjik, nuk ka sens që mjeku ta ofrojë të njëjtin shërbim privat brenda mureve të spitalit nëse ai mund ta japë atë fare mirë si pjesë e sistemit shëndetësor publik. Deri tani, ata mjekë që jashtë orarit të punës ose që kanë vendosur të punojnë krejtësisht në privat, në klinika personale ose spitale private, kanë pasur mundësinë që të paktën formalisht, të kenë zgjedhur që shërbimet e tyre mjekësore t’i japin në atë format. Kjo formë e përdorimit të strukturave dhe mjeteve spitalore privatisht, duket sikur kërkon të kthejë në formale një praktikë deri tani informale, pra atë të pagesës nën dorë për të kaluar radhën e sistemit referencial, ose të përfitimit të një shërbimi më të shpejtë mjekësor. Përndryshe, nuk ka asnjë arsye përse duhet që spitalet publike të ofrojnë shërbime private, kur personeli është po ai dhe nuk përfshin as blerje shërbimesh e as mjetesh, gjë e cila përfshihet në pika të tjerat të neneve për autonominë e spitalit.
COMMENTS