Komuniteti rom dhe egjiptian përballen me sfida të shumëllojshme në përditshmërinë e tyre. Si të mos mjaftonte varfëria, papunësia, diskriminimi, segregimi ata duhet të përballen edhe me pasojat e ndotjes së mjedisit.
Sipas një studimi të bërë nga “Lëvizja Rinore Rome dhe Egjiptiane” për qytetin e Elbasanit dhe “Together for Roma Integration “ në Fier kuptojmë se ndotja e mjedisit në këto dy qytete ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në jetën e qytetarëve nga komuniteti rom dhe egjiptian që banojnë në afërsi të zonave të ndotura.
Ndotja e ajrit Elbasan
Ndotja e ajrit në qytetin e Elbasanit është një shqetësim i përhershëm i banorëve të këtij qyteti, por në mënyrë të veçantë i atyre që jetojnë pranë ish zonës industriale të Kombinatit Metalurgjik.
Në këtë zonë operojnë disa firma të cilat shkarkojnë sasi të konsiderueshme gazrash si pasojë e proceseve të tyre teknologjike.
Sipas studimit të bërë nga organizata LRER në qytetin e Elbasanit, u anketuan 116 qytetarë. 66.4% e tyre u shprehën se cilësia e ajrit në qytetin e Elbasanit është shumë keq, 25% keq dhe 8.6 mirë.
Sipas të anketuarve shkaku kryesor i ndotjes së ajrit është: Industria, djegia e mbeturinave si edhe përdorimi i automjeteve.
Përsa i përket problematikave kryesore qe shkaktonte ndotja e ajrit ata u shprehën se janë: Vështirësi në frymëmarrje; sëmundje kancerogjene; irritime në sy/hundë/grykë; probleme me lëkurën; probleme me astmën; si dhe një numër i konsiderueshëm i të intervistuarve ngritën shqetësimin për fëmijët e tyre që po rriten me këtë mjedis me ajër të ndotur.
Bukurie Xhija nga komuniteti rom e cila banon në Bradashesh, një ndër zonat më të afërta të Metalurgjikut shpreh shqetësimin e saj për ndotjen dhe e pyetur nga informim.al tregon se është e gatshme të reagojë:
“Ajri shume i keq, jemi të gatshëm të reagojmë në çdo rast, ne nuk dimë se ku të shkojmë, na I mbyllin dyert në fytyrë, por nëse ka një organizim, së bashku me djemtë dhe familjen time jemi gati. Këtu nuk ka jetë. Ne zgjohemi në mëngjes, nuk mund të hapim dyert e dritaret, gjatë darkës nuk flemë dot gjumë. Unë kam probleme me frymëmarrjen dhe më duhet të ble çdo muaj ilaçe.”- tregon Znj. Xhija.
Ndërsa Anila Duja, nga e njëjta zonë shpreh për informim.al dëshirën për tu larguar, për të mirën e fëmijëve të saj:
“Edhe tani që është mesditë duket reja e tymit, era naftë, tymi i zi. Kisha vjerrhin sëmurë , i cili vdiq nga sëmundjet e frymëmarrjes, disa vite më ilaçe. Kam katër fëmijë, më vjen keq që po rriten në këtë ajër të rëndë, por nuk kam ku ti coj.” – përfundon ajo.
Qytetarët gjithashtu treguan se institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e cilësisë së ajrit janë: Bashkia Elbasan, shoqatat, si edhe Ministria e Mjedisit. Një numër i konsiderueshëm nuk kishin informacion mbi institucionin përgjegjës. Mbi 70% e të intervistuarve u shprehën se janë të gatshëm për të reaguar ndaj kësaj situate, 20% e tyre nuk kishin informacion se kujt institucioni ti drejtohen, ndërsa 10% nuk kanë besim tek zgjidhja e kësaj situate.
Ndotja e lumit Gjanica Fier
Lumi i Gjanicës, degë e Semanit, është lumi me ndotjen më të rëndë në Shqipëri. Menjëherë pas burimit ai ndotet rëndë me mbeturina me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj nga sipërfaqja naftë-nxjerrëse e Marinzë–Patos dhe, gjithashtu, prej Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh.
Duke kaluar mes qytetit të Fierit, përpara se të bashkohet me Semanin në të shkarkohen mbeturinat urbane, duke e bërë ujin e tij pa asnjë formë jete. Krahas dëmit në florën dhe faunën natyrore ujore, përdorimi i ujit për vaditje dhe blegtori është me rrezik.
Në studimin e bërë nga TIRC u anketuan 127 persona ku 78.% e qytetarëve u shprehën se cilësia e lumit të Gjanicës ishte shumë keq. Ndërsa 22% e tyre u shprehën se cilësia ishte ‘keq’.
Sipas tyre shkaku kryesor i ndotjes së lumit të Gjanicës është: Industria dhe hedhja e mbetjeve urbane.
Vështirësi në frymëmarrje, irritime në sy/hundë/grykë, probleme me lëkurën, probleme me astmën, stres/depression, si dhe probleme me te mbjellat, janë problematikat kryesore që shkakton ndotja e lumit të Gjanicës, shprehen banorët.
Qytetaret treguan se institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e lumit të Gjanicës janë: Bashkia Fier dhe Ministria Mjedisit. Mbi 90% e të intervistuarve u shprehën se janë të gatshëm për të reaguar ndaj kësaj situate.
COMMENTS