Komuniteti Rom dhe Egjiptian në zgjedhjet 2023: pak informacion dhe pa përfaqësim, pjesëmarrje e ulët

Komuniteti Rom dhe Egjiptian në zgjedhjet 2023: pak informacion dhe pa përfaqësim, pjesëmarrje e ulët

Të papërfaqësuar në këshilla bashkiakë: Komuniteti Rom dhe Egjiptian si garniturë “diversiteti”
Fëmijë pa shtetësi: Sfidat e prindërve romë në aksesin e shërbimeve
Lypja si kundërvajtje administrative, aktivisti Sejrani kundër dënimit, ‘Të integrohen’

Ndërsa ende pritet përfundimi i numërimit për mandatet e anëtarëve të këshillave bashkiakë, nga rezultatet paraprake dhe pjesëmarrja, vihet re një ulje e ndjeshme e interesimit të shqiptarëve ndaj zgjedhjeve lokale. Akoma më pak të interesuar ishin anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Të papërfaqësuar me kandidatë, në fokusin e asnjë partie nga aspekti programor, edhe në këto zgjedhje, ata ishin pre e grupeve të strukturuara që shpërndanin ndihma financiare ose ushqimore për një votë.
Problemet e zakonta, votimi familjar, sjellja e votuesve me makina të huaja, shoqërues partiakë, ishin prezent gati në çdo qytet, sipas raportimeve të vëzhguesëve dhe medias.
Në Elbasan ku votimi ishte plotësisht elektronik, votimi familjar ishte i theksuar sidomos në fshatra, ku sipas vëzhguesëve dhe informacioneve nga Reporter.al, nuk mbaheshin as procesverbale për rastet përkatëse. Justifikimi për votimin familjar ishte pamundësia e një ose disa anëtarëve të një familjeje për të përdorur aparaturën e votimit elektronik. Disa votues të komunitetit rom thanë për Informim.al se, pati vonesa dhe pritën disa orë për të arritur të votonin. Prindërit e moshuar e kishin të pamundur për të lexuar dhe përdorur aparaturën dhe ata u shoqëruan nga një familjar, jashtë rregullave për fshehtësinë e votës.
komromvoton
Foto: reporter.al, një grua e komunitetit ndihmohet nga një familjar për të votuar

Informacione nga banorë flasin për një shitje masive të votave në Tiranë të zonave me përqëndrim më të lartë të komunitetit rom dhe egjiptian, ku shifra e një vote ka kapur 50mijë lek të vjetra. Për informim.al, një burim anonim shprehet se ka parë persona të komunitetit të organizuar nga kreu fisnor për të votuar pranë zonës së Kombinatit dhe Selitës, dhe janë instruktuar se si duhet të votojnë, sidomos për ata që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë. Kjo dukuri sipas burimit, është e përsëritur dhe kryhet nga po të njëjtit.

Në Vaqarr, votimi familjar u pranua në heshtje nga komisionerët, sipas një vëzhgueseje. Për informim.al ajo tregoi se, babai i një familjeje rome shoqëronte fëmijët që votonin për herë të parë si dhe më të vjetrit e familjes. Asnjë shënim nuk u mbajt për rastet në protokoll. Vëzhgues ose komisionerë nga PS mbanin shënim emrat e personave pa nevojë të kartave ID ose identifikimit të tyre, sepse të gjithë banorët njiheshin në nivel familjar e personal, ku dihej qartë dhe hapur edhe se për cilën parti voton secili. Mundësia për varietet ishte e ulët. Hapur disa komisionerë të PS pranuan se zgjedhës me bindje të djathta nuk do vinin për të votuar për shkak të intimidimit dhe humbjes së vendit të punës në administratë.

Në qytetin e Lezhës, votimi familjar është vënë re në rastet e më të moshuarve. Informacione të komisionerëve të PS thanë për informim.al se procesi ishte i qetë dhe pa incidente, pa intidimidim të zgjedhësve. Megjithatë, ka pikëpyetje për procesin jashtë zonës së qytetit, ku dhe varfëria është më e thellë.

Community Reporters Albania ka vëzhguar disa qendra votimi ditën e diel, duke marrë disa rezultate:

Community Reporters Albania u angazhua që ditën e zgjedhjeve të kishte 10 vëzhgues në 5 qytete si Tirana, Elbasani, Fier, Berati dhe Shkodra që vëzhguan vetëm votuesit Rom dhe Egjiptian sesi ata votojnë. Në vëzhgimin paraprak, vëzhguesit thanë se : Romët dhe Egjiptianët, kanë votuar në grupe, momente intimidimi të votës, një pjesë e madhe e votuesëve rom kishin vështirësi për të gjetur qendrën e votimit, dhe në Elbasan ku është pilotuar votimi elektronik, kanë votuar në grup, shpesh herë kanë marrë ndihmë nga persona të tjerë jo familjarë, po ashtu jashtë qëndrave të votimit, në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Berat vëzhguesit deklaruan se kishte persona nga partitë politike të cilët bisedonin, bënin me shenja për të votuar si dhe afroheshin sapo shihnin rom ose egjiptian dhe i shoqëronin për të votuar.

Disa nga problemet e identifikuara prej tyre:

Në Elbasan në qendrën e votimit nr 2320 ka nisur votimi 2 orë me vonesë dhe kjo ka bërë që votuesit romë dhe egjiptian pasi kanë pritur më shumë se një orë janë larguar dhe nuk votuar më. Në Fier, në fshatin Baltëz ku kishte rreth 153 votues romë, vëzhguesit thanë se në disa raste romët janë ndihmuar nga persona të pa identifikuar të votojnë pasi nuk dijnë të votojnë, të lexojnë dhe të shkruajnë. Në Berat, ku kishte një numër të lartë rreth 390 persona nga Romët dhe Egjiptian, vëzhguesit deklaruan se janë ndihmuar për të votuar nga të tjerët të pa identifikuar, si dhe janë shoqëruar nga persona deri në qëndrën e votimit. Në Shkodër, sipas vëzhguesit tanë, raportohet se ka pasur rreth 493 persona nga minoriteti Egjiptian, raportohet se të moshuarit janë ndihmuar nga familjar të tyre për të votuar.

Duke marrë parasysh se ishin vetëm dhjetë vëzhgues nga CRA, numri i personave të komunitetit të cilëve ju është deformuar vota, mund të shkojë në shifra tepër të larta, që cënojnë të drejtën e këtij komuniteti për të votuar por dhe vlefshmërinë e zgjedhjeve.

Për informim.al, na u referua se në qytetin e Gramshit u vu re tendenca për votim të shoqëruar të atyre që nuk dinin si të votonin, por u mbajt sipas rregullit shënim në protokoll për secilin rast.

Në Fier, në fshatin Drizë, pjesëmarrja ka qenë tepër e ulët, më pak se në rang kombëtar. Banorët e Drizës tashmë të lodhur nga premtimet elektorale dhe në pamundësi për t’iu dëgjuar zëri pranë bashkisë Fier, kanë shkuar në më pak se 24% për të votuar. Në fshatin Rom, pjesëmarrja ka qenë 9%.

Në Berat, pavarësisht gëzimit të fitores dhe rikonfirmimit të Demos në krye të bashkisë, ka një element të fortë pesimizmi, për shkak të premtimeve të pambajtura. Duke qenë bastione të majta, investimi politik në këto zona nuk ka nevojë të jetë i lartë dhe vëmendja ndaj komunitetit rom dhe egjiptian është po ashtu. Mimoza Bujaraj, përfaqësuese në këshill bashkiak, nuk ishte më as në listat fituese për këshill bashkiak, që solli më tej një rënie të moralit për zgjedhësit. Megjithatë, për informim.al ajo shprehet e kënaqur për rezultatet në zgjedhje dhe shpreson se në këtë katër vjeçar, do ketë ndryshime pozitive në Berat.

Në asnjë zonë me përqëndrim të lartë të zgjedhësve romë dhe egjiptianë nuk kishte shpjegime në gjuhën romani, as komunikim me komunitetin për të gjetur emrin në lista. Pengesa haseshin në gjetjen e qendrës së votimit, për shkak se nuk ishin informuar paraprakisht. Në disa zona rurale, vështirësia për të arritur qendrën e votimit i pengoi zgjedhësit romë dhe egjiptianë për të ushtruar të drejtën e tyre. Në përgjithësi, ka pasur një dekurajim për zgjedhësit për të marrë pjesë e kjo ka sjellë edhe një nivel pjesëmarrje në nivel rekord të ulët, që nuk përfaqëson vullnetin politik të komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Fatkeqësisht, edhe në këto zgjedhje, disa romë dhe egjiptianë e panë votën si një mjet për të marrë një përfitim të shpejtë dhe jo si një mjet presioni për të ndihmuar veten dhe komunitetin e tyre për të përmirësuar problemet të cilat i hasin çdo ditë. Partia në pushtet e pa varfërinë dhe vulnerabilitetin e tyre si një element për t’i blerë disa vota të shpejta, e duke pasur parasysh që disa bashki janë fituar me 20-50 vota, mund të kuptohet qartë sa ndikim direkt kanë pasur shitblerjet dhe intimidimet për të marrë ose mbajtur pushtetin.

COMMENTS

WORDPRESS: 0