Burime pranë KLSH konfirmojnë vendosjen nën audit të ASHK, për shkak të situatës tashmë alarmante pranë këtij institucioni. Nga 3 korriku i 2023, futja e sistemit digjital të shërbimeve hipotekore pritej që të shmangte përfundimisht abuzimet dhe mitmarrjet në këtë institucion famëkeq në Shqipëri. Ajo çfarë ndodhi sipas denoncimeve të qindra qytetarëve, noterëve dhe mediave të vogla, ishte një situatë kolapsi dhe mosdhënie shërbimi për asnjë person që ka nevojë për një certifikatë pronësie.
Tre ditë më parë, Fatmir Lacej nga Dhoma Kombëtare e Noterëve informoi mediat se, “Mund t’ju konfirmojë që nga data 1 korrik e deri në 10 gusht janë kryer 5655 aplikime, por vetëm 1300 prej tyre kanë marrë përgjigje. Shifrat nuk janë pozitive, por ne themi se jemi në fazën e parë të këtij proces dhe shpresojmë se situata do të ndryshojë në vazhdim. Ndërkohë që ka një ecuri më pozitive aplikimet me procedurë të përshpejtuar, të cilat kushtojnë edhe më shumë”.
Orë përpara ndërhyrjes së Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dallëndyshe Bici, drejtoreshë e ASHK-së prej muajit mars të 2023, postoi në rrjetin e saj facebook një shkrim ku mohonte që problemi me shërbimin të ishte “aq i madh” dhe se noterët janë duke keqinformuar dhe se “do merret edhe me ta”. Informim.al zotëron në informacion të saj me fakte, rastet e dy qytetarëve që nuk po tërheqin dot certifikatën e pronësisë në qytetin e Lezhës. Po ashtu, noterë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë kanë denoncuar prej muajit korrik bllokimin total të punës së tyre për kalime pronësie.
Arsyeja e vonesave mendohet se është transferimi i kërkesave nga një qytet në tjetrin, e nga ndryshimi i metodës së punës nga një zonë në tjetrën, për shkak të mosrakordimit dhe praktikave të paunifikuara të punës, kërkesat kthehen në sistem dhe nuk procedohen dot deri në fund. Para disa ditësh, gjithashtu pati një rrjedhje informacioni nga ASHK e Tiranës Veri, ku vërtetohej se një numër i madh specialistësh kishin kërkuar raport mjekësor në muajin korrik dhe gusht, që vërteton rritjen e stresit dhe pamundësinë për të punuar me kushtet e reja.
Ndërkohë, i vetmi reagim i KM Rama ka qenë një ironizim ku deklaron se sistemet tona elektronike do funksionojnë me anë të inteligjencës artificiale. Për çdokënd që ka njohuri minimale mbi teknologjinë, është e kuptueshme se po flasim për utopi dhe jo situatë reale. Deri tani nuk ka asnjë deklaratë mbi humbjet e qytetarëve që e kanë pasur të pamundur për të shitur pronat e tyre.
COMMENTS