Prej dekadash, komuniteti rom dhe ai egjiptian në Shqipëri përballen me vështirësi të shumta, kryesisht në fushat e strehimit, arsimit, punësimit dhe shëndetit. Diskriminimi i vazhdueshëm, i ndërthurur edhe me përjashtimin social, krijoi një hendek, pothuajse, të pakapërcyeshëm në raport me pjesën tjetër të popullsisë.
Siç rezulton edhe nga anketimet e kryera, komunitetet tuaja vazhdojnë të përballet me akses të kufizuar, pothuajse në çdo aspekt të jetë – që nga respektimi i të drejtave themelore e deri tek shërbimet bazike publike.
Redaksia e Informim. al mbështetur nga projekti “Media for All” dëshiron t’u japë zë problemeve me të cilat përballeni, duke ju ftuar të ndani me ne historinë tuaj.
Në muajt në vazhdim, ne duam të investigojmë raste të veçanta apo sistemike të diskriminimit, racizmit apo segregimit, të kuptojmë pengesat me të cilat përballeni në marrjen e shërbimeve publike, të raportojmë mbi respektimin e të drejtave themelore dhe të mbajmë përgjegjës institucionet, në rastet kur këto të drejta shkelen.
Nëse po përjetoni probleme të ngjashme, apo jeni dëshmitar i shkeljes së të drejtave të komunitetit rom apo egjiptian, lutemi që të bëheni pjesë e platformës sonë të angazhimit qytetar. Gazetarët e Informim.al do t’i ndjekin më tej informacionet tuaja për të realizuar artikuj të shkruar apo video. Ne duam, gjithashtu, t’ju garantojmë se të dhënat tuaja personale do të trajtohen me konfidencialitet, do të aksesohen vetëm nga stafi ynë dhe nuk do të publikohen në asnjë rast pa marrë më parë miratimin tuaj.
Nëse doni të kontaktoni me ne, lutemi të plotësoni pyetësorin më poshtë: