Pavarësisht se ankimimi i Bashkë Fitojmë u rrëzua me votat e 3 anëtarëve të KAS, dy të tjerët, Elvis Cefa dhe Ledio Braho shfrytëzuan hapësirën që i jep ligji, për të kërkuar rinumërim të të gjitha kutive të votimit në Rrogozhinë, përfshirë edhe atë të burgut.
Edhe Kamza do të jetë në fokus të betejës së “Bashkë Fitojmë” në mini-gjykatën e KQZ. Kandidati i koalicionit, Arjan Hoxha, pretendoi para 5 anëtarëve të KAS se rezultati në pajisjet e votimit elektronik është manipuluar, por kërkoi më shumë kohë për shqyrtuar pamjet e kamerave të qendrave të votimit.
KAS do të marrë vendim të enjten në orën 17:00, nëse do të pranojë kërkesën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të rishqyrtuar të gjitha kutitë e votimit në Kamëz, ndërsa po në të njëjtën ditë do të bëjë ri-numërim manual të 2 kutive të votimit që u konsideruan të pavlefshme nga KQZ në këtë bashki.
Në Rrogozhinë koalicioni BF ankimoi rezultatin për kryetar të bashkisë dhe kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave. Në Rrogozhinë u shpall fitues kandidati socialist, Edison Memolla me një diferencë vote prej vetëm 23 votave kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ndërkohë numri i votave të pavlefshme në këtë zonë zgjedhore në votimin për kryetar të bashkisë është 276 vota. Pritet që ditën e hënë, 5 qershor, të bëhet rinumërimi i plotë i të gjitha votave të kësaj bashkie.
COMMENTS