Kandidati i pavarur i qarkut Bulqizë Elton Debreshi së bashku me avokatin Gentian Sejrani dorëzuan sot Kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në kërkesë specifikohej rrëzimi Pragut Kombëtar 1%, ku kandidatët e pavarur trajtohen njëlloj me kandidatë të subjekteve politike.
“Ky prag diskriminon kandidatët e pavarur, të cilëve u kërkohen më shumë vota se partive për t’u zgjedhur deputet në një qark. Për nga detyrimi për të fituar së paku 1% të votave kombëtare, kandidatet e pavarur trajtohen si te ishin parti politike. Po për nga të drejtat ata kanë shumë më pak të drejta se partite duke u votuar vetëm brenda një qarku.”- shprehet zoti debreshi.
Kërkesa
Në Kërkesën e dorëzuar sot në Gjykatë , theksohej se me ndryshimet e pikës 1, të nenit 162, të Kodit Zgjedhor me ligjin Nr. 118/2020, datë 5.10.2020, përllogaritja e mandateve të subjekteve zgjedhore, përcaktohet si më poshtë:
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Pra, referuar pikës 20, të nenit 2, të Kodit Zgjedhor, ku perkufizohet termi subjekt zgjedhor:
‘Subjekte zgjedhore’ janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod”- shkruhej në Kërkesë Padi.
Siç shihet, kandidati i pavarur konsiderohet si subjekt zgjedhor dhe duhet që të marrë 1 përqind të votave në shkallë vendi. Kandidati propozuar nga zgjedhësit kandidon vetëm në një zonë zgjedhore të caktuar dhe merr vota vetëm në atë zonë, ndërsa partitë politike mbledhin vota në të gjithë zonat zgjedhore në Republikën e Shqipërisë. Në këtë këndvështrim për nga natyra e subjekteve zgjedhore nuk mund të konsiderohen njëlloj nga pikëpamja e detyrimeve në lidhje me pragun elektoral.
Vota është e barabartë
Avokati Gentian Sejrani nga Organizata “Drejtësi Sociale”, aktivist i minoriteteve rome dhe egjiptiane, i cili përfaqëson z. Elton Debreshi theksoi se ligjërisht referuar parimeve dhe mbrojtjes që Kushtetuta u jep qytetarëve shqipëtarë, konstatohet shkelje nga ana e Kodit Zgjedhor.
“Qytetarët e zonës zgjedhore Dibër nuk kanë të njëjtën vlerë vote, pra qytetarët që do të votojnë kandidatin e pavarur, Z. Elton Debreshi. Vota e tyre nuk ka të njëjtën vlerë ashtu si qytetarët që do të votojnë kandidatët e subjekteve politike. Rrjedhimisht jemi përballë situatës ku vota është e pabarabartë dhe është diskriminuese për shkak të bindjeve politike”- thekson Z. Sejrani.
COMMENTS