Investigim/mungesa e një adrese si pengesë për regjistrimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë

Investigim/mungesa e një adrese si pengesë për regjistrimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë

e-Albania/Probleme me regjistrimin e vaksinave
Problemet me aksesin në e-albania/ Qytetarët kërkojnë shërbime edhe fizikisht
Pyetësor mbi aksesimin e e-albania

Është vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nënë e një vajze dy vjeç e gjysmë. E lodhur dhe e veshur me rrobat e shtëpisë, A., kërkon pranë një organizate për ndihmë ligjore të grupeve të margjinalizuara, asistencë për të regjistruar vajzën në gjendjen civile. Veç bonusit të lindjes që i takon dhe nuk e përfiton dot, vajza e vogël nuk figuron si shtetase dhe në të ardhmen nuk do mund të regjistrohet as në shkollë. Praktikisht, një njeri që për shtetin shqiptar nuk ekziston.

Organizatat që ofrojnë ndihmë ligjore hasin problematika të tilla çdo ditë dhe numri i këtyre personave është i lartë. Rasti i A.-së është i veçantë; ajo e ka lindur të bijën në Kosovë dhe më pas është rikthyer në Tiranë për të banuar me prindërit e saj, pranë së ëmës dhe të atit. Por edhe nëse vajza e mitur do të kishte lindur në Tiranë, do e kishte të pamundur regjistrimin, për shkak të një detaji: familjes i mungon një adresë në regjistër. Ata aktualisht banojnë me qira dhe nuk kanë një kontratë të rregullt, e duke mos pasur një adresë, ata nuk e regjistrojnë dot vajzën e vogël.

E vetmja mënyrë për të regjistruar dikë si banor në cilindo qytet të vendit ëshτë duke pasur një adresë, e cila mund të rezultojë nga një certifikate pronësie, një kontratë qiraje ose huapërdorjeje dhe një numër i madh i familjeve rome dhe egjiptiane nuk kanë asnjë prej këtyre dokumenteve. Në pamundësi për të marrë një ndihmë nga dikush që do të autorizonte përdorimin e adresës së tyre, si bujtës i këtyre familjeve, fëmijët mbeten pa regjistruar, qytetarë që nuk ekzistojnë deri në moshë madhore, të pashkolluar, të papunë dhe të margjinalizuar në nivele të jashtëzakonshme. Ky është një cënim i disa të drejtave të njeriut, i së drejtës për arsim, i së drejtës për të pasur një vendbanim, i së drejtës për shërbimet shëndetësore, dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga një situatë e tillë, është ofrimi i strehimit në banesa sociale. Kjo do të zgjidhte ngërçin dhe do mund të kalonte në hallkat e tjera. Por shpesh, këto familje janë të gjitha të paregjistruara dhe nuk mund të nisin dot as procedurat për të kërkuar një banesë sociale, veç vështirësive të tjera, si koha e pritjes për të marrë një shtëpi të tillë.

Një prej zgjidhjeve më tipike që praktikohet, ajo që ndoqi dhe A. për të regjistruar vajzën e saj, është me anë të një ndihme që një banor fqinj pranon ta ofrojë. Me anë të një marrëveshjeje me kontratë te noteri, realizohet krijimi i një dokumenti artific, sikur familja fqinje po e strehon atë dhe të miturën. Kontrata e huapërdorjes ose deklarata është me afat të përkohshëm disa mujor dhe në përfundim të tij, bëhet i pavlefshëm, por edhe pas përfundimit të afatit, vajza vazhdon të jetë shtetase e Republikës së Shqipërisë.

Çfarë cënohet në këtë rast për këta persona të komunitetit? Një sërë të drejtash janë shkelur në të njëjtën kohë, e drejta për vendbanim, për marrjen e shërbimeve shëndetësore, e drejta për arsim. Në aspektin njerëzor, këta individë të lindur në kushte varfërie, e kanë të vështirë të gjejnë ndihmë në zyrat e shtetit, ku çdo gjë supozohet tashmë të zgjidhet elektronikisht me portalin e e-albania. Ndërkohë zgjidhjet bëhen me marrëveshje të tilla që jo gjithnjë janë të mundshme dhe bazohen në dëshirën e individëve për të ndihmuar. Po në rast se diçka e tillë nuk është e mundur, mbetet në pikëpyetje dhe pa zgjidhje.

COMMENTS

WORDPRESS: 0