INSTAT – rritet numri i vetëvrasjeve në vitin 2020

Skandali në Durrës: Kazanët e mbeturinave “mirëpresin” turistët tek Muzeu Arkeologjik
Ja kush nuk kualifikohen për legalizim.
“Me aftësi të kufizuar, por jo i paaftë për të punuar”

Rritja e numrit të vetëvrasjeve në Shqipëri u atribuohet faktorëve ekonomikë dhe socialë. Teksa niveli i tyre vijon të jetë tre herë më i lartë se sa vrasjet, ekspertët e fushës psikologjike bëjnë thirrje për ndërtimin e mekanizmave që të parandalojnë sjelljen vetëvrasëse, e cila ka ndikim ekonomik dhe social të konsiderueshëm.

Vetëvrasja është një nga fenomenet më të dhimbshme të shoqërisë. Në Shqipëri vijojmë të flasim për shifra të larta. INSTAT raportoi se numri i vetëvrasjeve, në vitin 2020, në total ka qenë 215, nga 216 një vit më parë. Shifrat flasin sërish për një numër të konsiderueshëm, si dhe një raport 3-fish më të lartë se sa vrasjet në Shqipëri.

Tentativat për marrjen e jetës vitin e shkuar kanë pasur nivelin më të lartë të tre viteve të fundit, përkatësisht 129 raste të raportuara dhe gjithashtu, mendohen edhe dhjetëra të tjera të paraportuara.

Vetëvrasjet dhe përpjekjet për vetëvrasje kanë një dëm të jashtëzakonshëm emocional për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën, si dhe për të mbijetuarit e përpjekjeve. Dikush që ka humbur një të dashur nga vetëvrasja konsiderohet si i mbijetuar. Këta individë shpesh përjetojnë hidhërim të fortë dhe kompleks, që mund të shoqërohet me ndjenja faji. Të mbijetuarit e vetëvrasjes kanë rrezik më të lartë ta përsërisin këtë veprim. 

Gjatë pandemisë, stresi, ankthi e më pas depresioni kanë qenë në rritje të vazhdueshme, faktorë që kanë çuar në një sjellje vetëvrasëse të pakthyeshme. Vitin e kaluar, u shtua një faktor stresant i fuqishëm, ai i COVID-19; në vitet pararendës kanë qenë arsyet e të gjithë kohërave, ai ekonomik është thelbësor, si dhe konfliktet brenda familjes.

Ekziston gjithashtu një kosto ekonomike e lidhur me vetëvrasjen, I referohemi kostos mjekësore dhe të humbjes së punës. Sipas Qendrës Për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve në SHBA, vetëvrasja dhe përpjekjet për vetëvrasje i kushtojnë shoqërisë rreth 70 miliardë dollarë. Kostoja mesatare e vetëm një vetëvrasjeje është gati 1.5 milionë dollarë. Vlerësimi kombinon shpenzimet mjekësore dhe kostot për shkak të humbjes së punës. Programet e parandalimit të vetëvrasjeve, veçanërisht ato që përqendrohen në ndërtimin e rezistencës së komunitetit pas një vetëvrasjeje, mund të ndihmojnë në uljen e kostove ekonomike dhe emocionale.

 

Vetëvrasjet u rritën në mënyrë sistematike në dy vitet e fundit, duke arritur në 216 persona më 2019, ose 2,3% më shumë në raport me një vit më parë dhe pothuajse në të njëjtin nivel ishin edhe në 2020-n. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave të vetëvrarë arriti në 7,5 për 100 mijë banorë nga 5,4 që ishte në vitin 2016.

Më e ekspozuar ndaj vetëvrasjeve ishte grup-mosha 55-59 vjeç me 15% të totalit të vetëvrasjeve. Një rritje e ndjeshme e heqjes së jetës me dëshirë u konstatua për grup-moshën 50-54 vjeç, me pothuajse dyfishim në raport me vitin e mëparshëm, e ndikuar kryesisht nga meshkujt.

Zakonisht në këto grupmosha, vetëvrasjet shtyhen nga arsye ekonomike dhe përfaqësojnë kryefamiljarë që nuk ia dalin dot të mbajnë familjen. Më tej, numri më i lartë ishte për grupmoshën mbi 70 vjeç, me rreth 44 persona, ose 20% e të personave të vetëvrarë më 2019. Vitet e fundit, numri i pleqve që jetojnë vetëm, është rritur, dhe të moshuarit janë më ekspozuar ndaj depresionit, factor kyc që con drejt vetvrasjes. 

COMMENTS

WORDPRESS: 0