Ekonomia shqiptare ka marrë një goditje të madhe dhe shkak është bërë pandemia Covid-19 dhe realiteti po tregon se humbjet sa vijnë e shtohen akoma edhe më shumë.
Referuar burimeve të INSTAT, ekonomia jonë ra me gati 3.5% në tremujorin e tretë, pas një tkurrjeje me 10.2% në të dytin dhe 2.5% në të parin.

Foto: Ecuria e të ardhurave buxhetore sipas muajve Burimi: Ministria e Financave
Sipas tabelave zyrtare të INSTAT, për 9 mujorin 2020, prodhimi i brendshëm bruto , pra vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia për një periudhë të caktuar kohe ishte 1.17 trilionë lekë ose 9.4 miliardë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ekonomia ka prodhuar rreth 90 miliardë lekë (720 milionë euro) më pak.
Ndaj, krahas rënies në raport me një vit më parë, ekonomia ka humbur për 9 mujorin edhe rreth 300 milionë euro, që është rritja e munguar nëse nuk do të kishte shpërthyer pandemia.
Si rrjedhojë, për 9 mujorin, humbjet e shkaktuara nga pandemia (rënia në raport me vitin e kaluar dhe rritja e munguar) i kanë kaluar 1 miliardë euro.

Foto: Ndryshimi vjetor i PBB me çmime korente në mln lekë, 9M 200/9M 2019 Burimi: INSTAT
Që nga viti 2009, kjo është hera e parë kur INSTAT raporton të dhënat, që vlera e prodhimit të brendshëm bruto është në rënie dhe kjo është e paraqitur edhe në grafik.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se tkurrja më e fortë ishte në tremujorin e dytë (-570 mln euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë); -94 milionë euro në të parin dhe -130 milionë euro në të tretin.
E nëse do të flasim për sektorin më të goditur, rezulton se:
a)Tregtia
b)Transporti
c) Aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor,
ku të gjitha këto kanë qarkulluar rreth 250 milionë euro më pak në krahasim me 9 mujorin, në një sinjal të dobësisë së konsumit si dhe të pasojave që kanë dhënë se aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor rënia e turizmit (për 9 mujorin (hyrjet e shtetasve të huaj për periudhën në fjalë ranë me 61%, ose 3.3 milionë turistë më pak).
Sektori i dytë me rënien më të fortë është industria gjithsej (-170 milionë euro), ku tkurrja më e madhe ishte në industrinë nxjerrëse, teksa në prill disa prodhues të mëdhenj të naftës, përfshirë Bankers Petroleum, ndërprenë përkohësisht prodhimin.
Aktivitetet shkencore, profesionale , administrative dhe mbështetëse kanë qarkulluar rreth 90 milionë euro më pak. Më pak të goditura ishin shërbimet financiare e sigurimet, ndërtimi, bujqësia, ndërsa i vetmi që ka vijuar rritjen në kohë pandemie është aktiviteti i pasurive të paluajtshme.

Foto: PBB me çmimet korente Burimi: INSTAT
Ecuria e shtatorit u ndikua dhe nga hyrjet më të larta të shtetasve të Kosovës, që ishin mbi 40% më të larta me bazë vjetore. Më pas, përkeqësimi i situatës së pandemisë dhe kufizimet e pjesshme vlerësohet të kenë ndikuar sërish negativisht ekonominë në tremujorin e tretë. Sidomos në dhjetor, që zakonisht është një muaj ku aktiviteti tregtar dhe i shërbimeve gjallërohen për shkak të festave, konsumi po rezulton i dobët, pas masave të reja shtrënguese, duke rrezikuar që për të pestin tremujor radhazi, ekonomia të qëndrojë në territor negativ.
COMMENTS