ILO: Papunësia në Shqipëri tek njerëzit e shkolluar

ILO: Papunësia në Shqipëri tek njerëzit e shkolluar

E rëndë, vdes nga covid një 33-vjeçare nga Lushnja pa sëmundje shoqëruese
Avokati i Popullit përkujton 3 dhjetorin, ditën ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuar.
Arbëreshët, thirrje për gjuhën shqipe : Na sillni abetaren në Kalabri

Një studim i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) thotë se papunësia në Shqipëri është tipar i njerëzve të shkolluar ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe Europës, ku të papunët janë kryesisht persona me arsim fillor ose te mesëm. Të dhënat që i referohen vitit 2020 tregojnë se 70 për qind e të papunëve në Shqipëri ishin me arsim të lartë, ndryshe nga, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia që në totalin e të papunëve ato më arsim të lartë përbënin rreth 20 për qind. Në të kundërt Shqipëria thuajse e ka papunësinë zero tek të paarsimuarit. Siç shihet në grafik personat me arsim fillor thuajse nuk vuajnë nga papunësia, teksa në Rajon kjo kategori përbën 10-30 për qind të totalit te të papunëve në varësi të vendeve.

Në rajon të papunët kryesisht përfaqësohen nga persona me arsim të mesëm të cilët zënë rreth 50-60% te të papunëve, ndërsa në Shqipëri personat me arsim të mesëm zënë më pak se 30 % të totalit te të papunëve.

Studimi i ILO-s vë në dukje se shumë njerëz punojnë në punë që nuk përputhen me nivelin e tyre arsimor. Në të njëjtën kohë, shumë punëdhënës pretendojnë se kanë vështirësi në gjetjen e punëtorëve me aftësitë që u nevojiten për të zgjeruar biznesin e tyre. Ky fenomen tregon për një shkëputje të konsiderueshme midis botës së arsimit dhe botës së punës. ILO vlerëson se në nivel global vetëm rreth gjysma e punëtorëve bëjnë punën që korrespondon me nivelin e tyre të arsimimit. Pjesa tjetër janë ose të mbi-arsimuar ose të nën-arsimuar për punët e tyre.

Në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore ku bën pjesë edhe Shqipëria vetëm gjashtë nga dhjetë punëtorë n kanë punë që korrespondojnë me nivelin e tyre të arsimit. Gratë kanë më shumë gjasa se burrat të jenë të nën-arsimuara për vendin e punës që kanë, përveçse në Shqipëri ku gratë e mbi-arsimuara për punën që bëjnë janë 12 për qind më shumë se, burrat.

Në shumicën e vendeve, përqindja e punëtorëve me një nivel të avancuar të arsimit është më e ulët se përqindja e vendeve të punës që kërkojnë një nivel të tillë arsimimi, duke treguar nevojën për të investuar më shumë në arsimin dhe përputhjen e aftësive, ndryshe nga Shqipëria e cila rezulton të ketë më shumë persona të shkolluar në dispozicion se vende pune për ta. Në Shqipëri mbi-kualifikimi i grave në raport me vendin e punës shpjegohet me nivelin e lartë të vetë-punësimit. Për disa persona të vetëpunësuar niveli i arsimimit nuk është kriteri i rëndësishëm.

ILO vëren se nën-arsimimi dhe mbi-edukimi bashkëjetojnë. Për të reduktuar çdo formë mospërputhjeje, është e nevojshme të kuptohen shkaqet si të mbi-arsimimit ashtu edhe të nën-arsimimit midis grupeve të ndryshme të popullsisë. Një informacion i tillë është thelbësor për planifikimin e zhvillimit makroekonomik dhe të burimeve njerëzore dhe për formulimin e politikave të përshtatshme që synojnë si ofertën e punës ashtu edhe kërkesën për punë./Monitor

COMMENTS

WORDPRESS: 0