Vrasjet e grave janë të paralajmëruara. Ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje. Kur fjala “neglizhencë” përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin.
Gratë dhe vajzat në Tiranë u organizuan sot në një homazh në përkujtim të 28-të vjeçares Irvana Hyka e vrarë nga bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj një ditë më parë.
Pjesmarrësit kanë ndezur dhjetëra qirinj dhe me foto të Irvanës janë grumbulluar tek sheshi Skënderbej me këtë mesazh:
“Jemi mbledhur për të bërë një homazh për viktimën Irvana Hykaj që e vrau bashkëshorti i saj pardje me 31 thika. Nuk duhet të bëjnë gjë gratë por duhet të bëjnë burrat, duke filluar nga baballarët, nga “kujdestarët meshkuj” njëlloj si në vendet e botës së tretë që duhet të mos e konceptojnë më vajzën, gruan si pronën e tyre. Duhet të ndryshojë koncepti i drejtësisë, duhet të ndryshojë mënyra sesi vepron policia, strehëzat dhe i gjithë zinxhiri me rradhë”:- shprehet gazetarja Arjola Hajdini.
Një protestë thuajse spontane, që mund të kishte patur më shumë njerëz, por që edhe ashtu, modeste, tregoi se ende ka mbetur qytetari në këtë vend.
Edhe në një tjetër manifestim përpara Kryeministrisë një grup vajzash dhe grash në Tiranë dënuan krimin e tmerrshëm, ndërsa e cilësuan edhe këtë si një tjetër ngjarje të normalizuar brenda një sistemi shtypës patriarkal.
“Jeta e gruas nuk është tagër i burrit! Trupi i gruas nuk është tagër i burrit! Gruaja nuk i përket askujt veç vetes! E mbrojtja e jetëve tona, mbrojtja e secilës prej nesh, është detyrë institucionale dhe përgjegjësi shoqërore!”, -u deklarua me megafon para Kryeministrisë.
Heshtja nga shoqëria ishte një tjetër shqetësim që përcollën pjesëmarrëset në këtë manifestim.
“Mendoj që një pjesë e madhe e problemit është çdokush që hesht, çdokush që bën sikur nuk e di çfarë po ndodh, në shkollë, në shpi, çdokush që nuk e ngre zërin, nuk është vetëm shteti, është një shoqëri e tërë. Kushdo që po kalon këtu dhe nuk ndalon të shikoj ca po bëhet, kush hesht përballë dhunës është pjesë e dhunës. Edhe arsimi është një pjesë shumë e rëndësishme, unë flas këtu si mësuese”,-u shpreh një tjetër pjesmarrëse.
COMMENTS