Kushtetuesja shfuqizon pragun elektoral prej 1% të parashikuar në Kodin Zgjedhor për kandidatët e pavarur.
Neni 162 pika 1 e Kodit Zgjedhor për të cilin u vendos shfuqizimi pjesor ditën e sotme përcakton se dhe kandidatët e pavarur që marrin pjesë në zgjedhje duhet të marrin 1% të votave në shkallë vendi.
Në këtë nen thuhet se “…për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi”.
Ankimimi në gjykatë u bë nga Elton Debreshi kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Dibrës në zgjedhjet Parlamentare të 25 Prillit 2021 dhe avokati Z. Gentian Sejrani nëpërmjet një padie.
Debreshi në atë kohë është shprehur se pragu prej 1% është diskriminues për kandidatët e pavarur, pasi iu kërkohet më shumë vota sesa partive politike.Av.Gentian Sejrani shprehet se së bashku me Elton Debreshin e ngritën këtë padi me shpresën se vendimi do te ishte po aq i drejte sa padia dhe me vetëdijen që një vendim pozitiv do të afektonte pozitivisht perspektiven politike të shoqërisë në tërësi.
“Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike”, – është vendimi i gjykatës.
Sipas arsyetimit në vendimin e Gjykatës Kushtetuese shfuqizimi bëhet pasi kjo fjali është e papajtueshme me Kushtetutën, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.
Kjo është hera e dytë që Kushtetuesja rrëzon Kodin Zgjedhor, pas asaj për herësin.
COMMENTS