Gjuha denigruese ndaj komunitetit egjiptian në RTSH në QATAR 2022, Petri Bozo kërkon ndjesë publike, organizatat: ‘Protesta do ketë qëllim sensibilizues’

Gjuha denigruese ndaj komunitetit egjiptian në RTSH në QATAR 2022, Petri Bozo kërkon ndjesë publike, organizatat: ‘Protesta do ketë qëllim sensibilizues’

Berat, 30 familje Rome rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur (video)
“Të më japin Kempin e të shlyej borxhet”, kërkesa e dhimbshme e gruas nga Durrësi
Shqipëria : E para në Evropë dhe e pesta në botë për emigracion potencial

Në emisionin e datës 24 nëntor 2022, në Radio Televizionin Shqiptar, gjatë emisionit QATAR të Hygerta Sakos, u përdor një term denigrues ndaj komunitetit rom dhe egjiptian. Gjatë transmetimit live, regjizori Petri Bozo, në një përpjekje për të shpjeguar situatën aktuale të lëvizjes së lojtarëve të futbollit nga një shtet në tjetrin pa pasur rëndësi etnia, përdori termin derogativ për komunitetin rom dhe egjiptian. Në videon në youtube të emisionit sekuenca është prerë, por ajo qarkullon në rrjete sociale në faqe të ndryshme instagrami dhe facebook me video humori.

Organizata Drejtësi Sociale së bashku me Qendrën Fuqizimi dhe Organizim Komunitar, Qendrën Për Advokim Social, Qendrën T’Reja, dhe Levizja Rinore Egjiptiane Rome, reaguan fillimisht me një shkrim në rrjetin social facebook dhe nga mesazhet e shumta të marra, vendosën që të organizojnë një protestë sensibilizuese për gjuhën e urrejtjes së përdorur në atë emision në datën 7 dhjetor, në orën 10. Përfaqësues të organizatave u shprehën se qëllimi i protestës është jo të goditen persona të caktuar por të vendoset theksi te fenomeni. 

Ata u shprehën se kanë marrë një email nga Petri Bozo, në të cilin ai shprehet se: 

‘Duke shprehur keqardhjen e thelle per ate qe ndodhi dhe te lenduarit e saj, dua t’ju siguroj se perdorimi i fjales nuk kishte ASNJE SFOND RACIST apo DISKRIMINUES, por ishte thjesht NJE FORMULIM FATKEQ apo LAPSUS ne kuadrin e nje ligjerimi te shpejte dhe me mundesi te kufizuar, per t’u menduar gjate dhe shmangur trashegimi te tilla rudimentare te te shprehurit, te mbetura ne nenndergjegje nga zhargoni i komunikimit te asaj pjese te shoqerise, qe nuk eshte e ndergjegjshme per efektin e fjales ne dem te reputacionit te pakicave.’

Përfaqësues të organizatës i kërkuan regjizorit që faljen ta bënte publike dhe se protesta nuk do ketë qëllim të penalizojë kënd por të vërë theksin te kontrolli më i lartë sidomos i RTSH ndaj ngjarjeve të tilla, duke qenë se më herët, në dhjetor të vitit 2021 një rast i ngjashëm ka ndodhur në një emision të po këtij televizioni. Në emailin përgjigje, Drejtësi Sociale është shprehur se, 

‘Ju bëjmë me dije se kemi vite që punojmë dhe përpiqemi të ndryshojmë perceptimin e shoqërisë për minoritetet tona duke u arsimuar dhe krijuar modele pozitive. Ndaj, situata të tilla ndikojnë negativisht në gjithë këtë përpjekje tonën. E mirëkuptojmë që lapsuse mund të ndodhin dhe duke besuar plotësisht në dëshirën tuaj për të mos qenë pjesë e ngjarjeve të tilla që dëmtojnë si minoritetet egjiptian dhe rom, si emrin tuaj, ju kërkojmë që në radhë të parë, këtë kërkesë faljeje ta bëni publike. Për ne nuk është e nevojshme që të kërkoni falje, aq sa të merrni pjesë në sensibilizim. Reagimi jonë do mbahet jo për t’ju sulmuar a dëmtuar ju, por për të vënë në vëmendje mediat, gazetarët, AMA, minoritetet tona dhe pjesën tjetër të qytetarëve që të nisin ndryshimin nga vetja.’

Regjizori ka postuar një story në instagram pjesë të faljes së tij. Reagime të tjera gjenden në rrjetet sociale të shumë anëtarëve të komunitetit rom, të cilët kanë shprehur indinjatën e tyre për ngjarjen. Gjuha e urrejtjes është një problemet që përballet komuniteti rom dhe egjiptian jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet ku ky komunitet jeton në Ballkan. Reporter.al  shpjegon në një raport të vitit 2020 në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe portretizimit të komuniteteve rome në vendet e BE të zonës së Ballkanit.

WhatsApp Image 2022 12 03 at 6.55.46 PM

COMMENTS

WORDPRESS: 0