Diskriminimi ndaj anëtarëve të minoriteteve rome dhe egjiptiane është një fenomen i përsëritur i cili vazhdon, pavarësisht institucioneve të mbrojtjes nga Diskriminimi.
Vrasja e të riut Klodian Rasha u shoqërua me disa protesta në Tiranë përgjatë muajit dhjetor 2020. I ftuar në një emision televiziv Z. Spartak Ngjela ndër të tjera u shpreh se pjesëmarrësit në protestat e dhunshme ishin romë, të paguar, të cilët po shkatërronin qytetin.
Qendra TREJA ju drejtua zyrës së Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi me një ankesë ndaj z. Ngjela, pas ankesës së dërguar, Komisioneri ka konstatuar shkelje të ligjit ‘Për Mbrojtjen nga Diskriminimi’ dhe ka gjobitur z.Spartak Ngjela në vlerën e 30.000 mijë lekë.
Përgjatë 5-së viteve Komisioneri ka dhënë 62 (gjashtëdhjetë e dy) vendime me gjobë ndaj institucioneve dhe individëve.
Ky institucion arrin të mbledhë vetëm 20% të gjobave të vendosura përgjatë këtyre viteve .
Ndërkohë që pjesën tjetër i’a përcjell Zyrave Përmbarimore ku në pesë vite janë mbledhur vetëm 14% e atyre të adresuara nga KMD.
Sa efektiv është vendimi për të gjobitur institucione apo individë kur nuk mblidhen as gjysma e vendimeve të marra?
Pas një kërkese për informacion drejtuar institucionit të KMD, informim.al mëson nga kthim përgjigjia se 5 vitet e fundit Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dhënë 62 (gjashtëdhjetë e dy) vendime me gjobë ndaj institucioneve dhe individëve.
Ndërkohë nga ana e KMD janë mbledhur 13-të gjoba ndërsa 41 vendime janë përcjellë për ekzekutim në Zyrat Përmbarimore, ku vetëm 6-të prej tyre janë ekzekutuar tërësisht.

Numri i vendimeve me gjobë për 5-së vitet e fundit nga KMD
Cilat janë masat që merr Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kur këto gjoba nuk mblidhen me dëshirën e individëve dhe/ose të institucioneve?
Pas vendimit të KMD sipas nenit neni 33/1 i Ligjit Nr. 10 221 datë 04. 02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i ndyshuar, i cili përcakton se: Gjobat paguhen nga kundërvajtësi jo më vonë se 45 ditë nga komunikimi i tyre. Me kalimin e këtij afati, vendimi i dhënë shndërrohet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga zyra e përmbarimit, me kërkesë të Komisionerit. Gjoba arkëtohet në buxhetin e shtetit.”
Pra kur gjoba nuk ekzekutohet brenda afatit nga pala debitore, KMD ka të drejtën t’i drejtohet Gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit të gjobës, i cili sipas kësaj dispozite, përbën titull ekzektitiv.
Me lëshimin e urdhrit nga Gjykata rasti referohet tek Zyrat Përmbarimore kompetente, të cilat kryejnë proçedurat përkatëse përmbarimore sipas dispozitave të Kodit të Proçedurës Civile.
Vërejmë se në këto pesë vite Zyrat Përmbarimore kanë ekzekutuar vetëm gjashtë vendime nga dyzet e një të drejtuara nga institucioni i KMD. Mosekzekutimi i këtyre gjobave le pa ndëshkuar individët ose institucionet që kanë diskriminuar persona për shkak të racës, etnisë, bindjeve politike, gjendjes ekonomike…etj.
COMMENTS