‘Gëzuar Vitin e Ri’ në hijen e krizës ekonomike

‘Gëzuar Vitin e Ri’ në hijen e krizës ekonomike

Varësia ndaj drogës: Ndani me ne përvojën tuaj
Nëna shqiptare: “Dhimbje shkatërruese, pa Matias nuk do të kthehem në atë shtëpi”
Në protestë edhe studentët e Vlorës

Atmosfera e fundvitit në Shqipëri ka një traditë shumëvjeçare ku familjet bashkohen, takohen e ndajnë ëmbëlsirat midis tyre, por këtë vit kriza e ka zbehur gëzimin. Radhat në markete janë të shkurtra, blerjet janë të kontrolluara dhe të kursyera.
“Këtë vit, bakllavanë do e bëj vetë, jo se e kam me dëshirë, se duhet të punoj, por se kushton më pak”, shprehet një zonjë që po pret në radhë me një pako të madhe gjalpi në shportë. Në supermarketin e lagjes pranë shkollës “4 Dëshmorët”, atmosfera është e zymtë. Furnizimet e marketit janë të kursyera, sepse dhe kërkesa ka qenë e tillë.

“Nga vjet, gjendja është më e keqe. Ne nuk japim me listë, vetëm me pagesë të menjëhershme. Nuk kemi marrë shumë furnizim, sepse po e shohim gjendjen, me ditë ka shitje, me ditë nuk ka fare. Ka disa vite që bëhet më keq”, shprehet Vera, pronarja e marketit.

Ndërkohë, në tregjet fshatare vazhdon të ketë një fluks të kënaqshëm, konsideruar që çmimet janë më të pranueshme. Janë produktet e ambalazhuara që kanë pësuar rritje shumë të madhe, për shkak të çmimit të naftës, ku nga produktet kryesore, vaji dhe bulmeti kanë rritjen më të madhe.

“Frutat nuk kanë më çmimet e rritura si vitet e tjera. Por blerjet janë shumë të pakta”, shprehet një pronar marketi nga qyteti i Lezhës. “Edhe banorë ka më pak, kanë emigruar shumë, e dikur prindërit prisnin fëmijët në festa, kurse tani shkojnë ata jashtë për ta kaluar Vitin e Ri. Si këto ditë vjet, ne çonim tre makina për furnizim nga Tirana. Këtë vit? Akoma nuk është shitur malli që kishim prej 25 dhjetorit”.
Të pakënaqur shprehen edhe për cilësinë e kontrollin e ushqimeve, për kushtet e ruajtjes nëpër mjetet e transportit.

“Nuk sillet mishi me furgon. Nuk i kam pranuar disa furnitorë”, shprehet menaxherja e një marketi lagjeje në rrugën Jordan Misja. “Blerjet janë të pakta. Nuk krahasohet me vitet e tjera”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0