Kam lexuar këto kohë nëpër “facebook” lumenj vreri kundër Robert Ndrenikës e Luljeta Bozos. Dy të moshuar sot, të cilët kanë edukuar dhe kontribuar ndërvite. Një lumë akuzash e vreri ndaj dy personazheve publikë e me kontribut pozitiv të cilët për rrethana të caktuara janë shtyrë nga familjarët ose janë vetëdorëzuar ndaj joshjes, gënjyer, mbase edhe e kanë ëndërruar të jenë pjesë e historisë parlamentare të vendit ose ose thjeshtë janë me dementia e shkojnë nga ti çosh. Por probabiliteti që të jenë autonomë në vendimmarrje mendoj se është i ulët në moshën dhe rrethanat e tyre (iniciativat e fundit të pavarura të tyre, kanë qenë protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga Ndrenika dhe intervistat publike të Bozos po për Teatrin si kundërpërgjigje me argumenta ndaj llumit pa argument që ka marrë peng republikën). A do bënte ndonjë ndryshim nëse do garonin apo mbështesnin ndonjë parti tjetër?! Për mua, jo!
Kam rastisur ti njoh nga afër të dy, njërën si mësimdhënëse e tjetrin si personazh që e kam duartrokitur në skenë e si bashkëprotestues jashtë saj.
Së pari ajo që është për tu trajtuar e që duhet të na bëjë të reflektojmë është se përse nuk po e ndryshojmë ne keqqeverisjen por presim nga brezi i gjyshërve tanë? E nëse gjyshërit dorëzohen, shiten, korruptohen, shtyhen nga nipër e mbesa ose thjeshtë janë me dementia, ne instiktivisht u gjuajmë me “gurë” pa dalë vetë para pasqyrës e të mendojmë se; çfarë po bëjmë ne për të ndryshuar çka nuk na pëlqen?
Së dyti duhet të kuptojmë se strategjia dashakeqe e një sistemi të korruptuar prodhon skema të tilla të larmishme për të shfokusuar vëmendjen ndaj saj, duke prodhuar skandale e skupe të tilla me personazhe publikë të famshëm e që i shkojnë përshtat një shoqërie me fokus telenovelat, humorin fakir dhe romancat e gjimnazistëve.
Së treti(përpara pasqyrës) duhet të mendojmë e të qartësohemi; a përmirësohet realiteti duke rënë në grackat e qeverisë e duke sharë nëpër rrjete sociale apo duke dalë përkrah Ndrenikës, 79 vjeç, kur protestonte për pronën tonë publike? A ndryshon realiteti duke sharë nga taçskrin i telefonit akademike Bozon apo duke mos iu bindur urdhrave policorë të një psikopati?
Së fundmi duhet të pyesim sërish veten se a jemi ne të dorëzuar përballë sistemit apo na e ka fajin ansambli “Pleqtë e Krujës”?
Nëse përgjigjet janë të qarta por aksioni është veç virtual mos prit se do bëhet më mirë. E nëse fokusi është te burimi i problemeve dhe gjithashtu reagimi ynë i përkthyer në aksion terreni, gjërat sigurisht që do jenë ndryshe.
Një shembull: Nëse do të votosh, është me rëndësi të votosh kundër partisë ku aderojnë Ndrenika dhe Bozo, si kundërpërgjigje ndaj perversitetit qeverisës që prodhon fenomene të tilla duke u tallur me ne dhe figurat publike.
Nga Besnik Bala
COMMENTS