Në Shqipëri, aksesi në të drejtat sociale, shëndetësore dhe arsimore është i lidhur pazgjidhshmërisht me regjistrimin civil të shtetasve – por shumë fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian janë të privuar nga këto të drejta për shkak se nuk kanë mundur të regjistrohen.
Nga Adela Radovani
Gruaja hyri e ndrojtur në zyrat e organizatës “Drejtësi Sociale”, me foshnjen 2-muajshe ndër duar. Kishte ecur për më shumë se një orë në këmbë nga Lanabregasi, ku jeton bashkë me familjen.
“Nuk dua ta regjistroj, se më merr automatikisht atësinë e bashkëshortit. Nuk është vajza e tij,’ thotë ajo për të bijën.
Nëna 28-vjeçare është anëtare e komunitetit rom dhe është martuar fiktivisht me një anëtar tjetër të komunitetit, duke i dhënë atij mbiemrin e saj dhe një biletë udhëtimi në zonën Schengen, prej nga kishte marrë më parë “expuls”.
Prej vitesh ajo bashkëjeton me dikë tjetër, me të cilin ka edhe dy fëmijë të tjerë. Por në regjistrin civil, fëmijët janë regjistruar automatikisht me atësinë e bashkëshortit formal dhe gruaja nuk dëshiron që historia të përsëritet edhe për vajzën e vogël.
“E bëra për treqind mijë lekë të vjetra,” shton ajo, por ky veprim e ka ndërlikuar edhe më tej situatën e saj ligjore.
Juristja Gjyljana Bakalli, e cila po ndjek çështjen e saj, e këshillon që si fillim të nisë procedurat e divorcit dhe më pas të bëjë kundërshtimin e atësisë së prezumuar. Por kjo kërkon praninë e bashkëshortit fiktiv, i cili nuk banon në Shqipëri si dhe një shumë të konsiderueshme parash për procedurat ligjore – të cilat gruaja e re nuk i ka.
Rasti i saj nuk është i vetëm.
Në Shqipëri, aksesi në të drejtat politike, sociale, shëndetësore dhe arsimore është i lidhur pazgjidhshmërisht me regjistrimin civil të shtetasve – por shumë anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian janë të privuar nga këto të drejta për shkak se rezultojnë të paregjistruar dhe pa shtetësi.
Të dhënat e siguruara nga Censusi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2011 identifikoi 7443 persona pa shtetësi në Shqipëri, mes së cilëve 3874 burra dhe 3569 gra. Ky hendek mendohet të jetë ngushtuar, sipas një raporti të Hartëzimit të Popullsisë në Rrezik Pashtetësie të përgatitur nga TLAS në bashkëpunim UNHCR-në në Shqipëri dhe të publikuar në vitin 2018.
Megjithatë, aktivistët e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri theksojnë se ky vazhdon të jetë ende një problem shqetësues.
Gentian Serjani, avokat i Organizatës “Drejtësi Sociale”, i tha Informim.al se kishte trajtuar vetëm pak ditë më parë rastin e një familjeje që nuk e regjistronte dot fëmijën e lindur në Gjermani për shkak të mungesës së vulës apostile. Mes shtetit gjerman dhe atij shqiptar ka një marrëveshje për lehtësimin e procedurave të regjistrimit, por me shtete të tjera si Greqia apo Franca nuk ekzistojnë lehtësi të tilla.
‘Absurditeti i personave të paregjistruar shkon deri aty sa unë kam hasur në rastin e një djali 19 vjeç që kishte kryer një vepër penale dhe për ta dënuar, u përdor emri i babait të tij dhe numri i tij i identifikimit. Është komplet jashtë çdo kriteri ligjor,’ tha Serjani.
Plani Kombëtar i Veprimit Për Barazi, Përfshirje dhe Pjesmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë (2021-2025) identifikon si sfidë të vështirë regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë shtetit, pasi prindërit janë deportuar nga vendet e Bashkimit Europian dhe nuk mund të sigurojnë dokumente.
“Ka rreth 150 fëmijë romë dhe egjiptianë të lindur çdo vit jashtë vendit, të cilët duhet të mbështeten me asistencë teknike për marrjen e dokumenteve. Ky numër pritet të rriten në vitet e ardhshme për arsye se shumë emigrantë, përfshirë anëtarët e Minoritetit Rom dhe Egjiptian….po kthehen ne Shqipëri,” thuhet në Planin e Veprimit.
Juristja Gjyljana Bakalli shpjegon se regjistrimi civil i të kthyerve mbetet një ndër sfidat kryesore.
‘Kemi pasur disa raste ku kanë qenë fëmijë adoleshentë. Është shumë më e vështirë në ato raste,’ shtoi ajo.
Një rast i ngjashëm është në Berat, ku paraligjorët e organizatës kanë kontakt me një familje, të cilët fëmijën e lindur në Greqi nuk po arrijnë ta regjistrojnë në shkollë për shkak se nuk rezulton i regjistruar si shtetas.
Aktit të Lindjes në shtetin Grek i mungon Vula Apostile.
Në këtë rast, juristët kanë mundësuar që fëmija të regjistrohet në klasë të parë dhe prindërve u është lënë një afat që të përfundojnë procedurat.
“Ky rast është më i thjeshtë, pasi familja është e vetëdijshme se duhet të shkollojë patjetër fëmijën dhe ka kërkuar ndihmë. Ka raste të tjera ku familjet ndihen të pashpresa dhe nuk kanë besim as te organizatat dhe as te institucionet,” tha juristja Bakalli për Informim.al.
Në mjediset e organizatës “Drejtësi Sociale”, gruaja 28-vjeçare është në dilemë se si duhet të veprojë me foshnjen e saj.
‘Nëse nuk ndahem, nuk marr dot ndihmë ekonomike,” thotë gruaja e papunë, ndërsa shton: “Vajzën po e regjistroj, sepse më duhet bonusi i lindjes”.
COMMENTS