Kastriot Elezi 60 vjeç nga Elbasani prej 2 muajsh është duke u sorrollatur në dyert e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Elbasan, pasi nuk ka mundur të marrë pensionin e një viti e gjysmë të nënës së tij, e cila ka ndërruar jetë para 4 vitesh. Vdekja e nënës së tij Dhespina Luto në Itali do të sillte një kalvar të gjatë me probleme në familjen Elezi. Të pamundur për të kryer procedurat e marrjes së pensionit prej pandemisë, sot Z.Elezi thotë se është duke u përballur me burokracitë që ndodhin në institucionet e shtetit shqiptar. Me letra në duar dhe me lot në sy ai kërkon të drejtën e nënës së tij, pasi pohon se vitet e punës së saj nuk mund të grabiten nga të tjerë. Ai kërkon nga shteti dhe instancat përkatëse që problemi tij të marri zgjidhjen e duhur, pasi sipas tij ai disponon të gjitha dokumentat sipas ligjit për të marrë të drejtën e nënës së tij. Indinjata për të bëhet edhe më e madhe në momentin që Insituti i Sigurimeve Shoqërore nuk e sqaron dhe nuk i jep informacionin e duhur në lidhje me këtë çështje duke e zvarritur.
Redaksia jonë u interesua në zyrat e Insitutit të Sigurimeve Shoqërore ku specialisti i këtij institucioni thotë që qytetari nuk mund të marrë dot pensionin e nënës së tij pasi referuar ligjit përcaktohet se : pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Sipas juristit Gentian Sejrani, rasti duhet trajtuar ndryshe nga ana e institucionit pasi periudha e pandemisë nuk mund të përllogaritet si afat për shkak të karantinës dhe pamundësisë objective për të lëvizur, dhe si pasojë zotëria duhet të marr pensionin e patërhequr të nënës së tij.
COMMENTS