Policia e Elbasanit ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit me të cilën autorët kryen vrasjen e Emiljano Ramazanit më datë 20 korrik 2020.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me forcat speciale Renea, forcat “Shqiponja” dhe Policinë e Peqinit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve me inicialet A. M., 64 vjeç dhe S. M., 37 vjeç, lindur e banues në Peqin (babë e bir).
Pas informacioneve të grumbulluara gjatë punës hetimore se në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin ishte fshehur arma e krimit, është ushtruar kontroll i befasishëm dhe si rezultat, në ambientet e brendshme të biznesit, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe nga provat shkencore ka rezultuar se arma e zjarrit e sekuestruar është arma e zjarrit pistoletë e përdorur në ngjarjen e datës 20.07.2020, në Elbasan, ku u vra Emiljano Ramazani.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Pse u ekzekutua Emiljano Ramazani dhe kush ishte ai?
39-vjeçari rezulton të jetë vënë në pranga në vitin 2017, ne kuadër të operacionit të koduar “Porosia e fundit”. “Rramami”, bashkë me mikun e tij, të identifikuar si Marenglen Kamami, 36 vjeç, të dy banues në Elbasan. Atyre iu gjetën edhe 10 doza lëndë narkotike e dyshuar me atë të llojit “Kokainë”. Po ashtu Ramazani rezulton i arrestuar në vitin 2011 për veprën pelane “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe është liruar një vit më vonë nga Gjykata e Lartë.
Emiljano Ramazani, dyshohet të ketë qënë pjesë e një grupi që ka marrë pjesë edhe në disa atentate. Ai njihej në Elbasan edhe si miku i Talo Çelës. Ky i fundit, i shpallur në kërkim për grabitjen 4.6 milionë eurove në Rinas dhe për ekzekutimin e dy vëlelzërve Hashia në Durrës, Viktor dhe Besmir./Informim.al
COMMENTS