Pas aksidentit të regjistruar pasditen e së mërkurës në lagjen “5 maji”, ku një mjet përplasi një fëmijë 4 vjeç teksa po kalonte rrugën, komuniteti i asaj lagjeje u ngrit sot në protestë. Të prekur nga ngjarja e rëndë dhe të shqetësuar për jetën e fëmijëve të tyre, banorët kërkuan ndërhyrje në infrastrukturë dhe sinjalistikën rrugore.
Fakti që aty pranë ndodhet Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor bën që të jetë një rrugë me lëvizje intensive. Sipas banorëve vendosjen e policëve të shtrirë në rrugë e kanë kërkuar disa herë, por asnjë masë nuk është marrë nga pushteti vendor, për të cilën thonë se kujtohen për ta vetëm në kohë fushate.
Një i mitur dëshmitar në momentin e përplasjes së fëmijës 4 vjeç u shpreh se ndihen të rrezikuar sa herë kalojnë rrugën.
Në profesion avokat, Gentian Sejrani, pohoi se nje drejtori si kontrolli teknik nuk duhet të jetë kurrësesi pranë një zone të banuar. Zhvendosja e pikës së kontrollit të automjeteve është me rëndësi jetike për vazhdimësinë e jetës normale të këtyre banorëve. Godina e kontrollit teknik duhet të kthehet në shkolle për këtë lagje, shprehet avokati, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet. Ngarkesa e madhe me makina të tonazheve të ndryshme, shkakton aksidente dhe rëndim të trafikut, ndërkohë që mungon sinjalistika, trotuaret dhe mjetet fizike për uljen e shpejtësisë së makinave.
Fëmija 4 vjeçar i aksidentuar është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë.
COMMENTS