Nga Adela Radovani
Ceremonia e hapjes së punimeve për Teatrin Kombëtar është një rast unik ndoshta në historinë e ceremonive inaguruese në Shqipëri: zakonisht pritet shiriti i mbarimit të një godine e kësaj here pamë inagurimin e një grope. A është kjo një shenjë paralajmëruese? A do mbarojë projekti ambicioz, nën hijet e proceseve të mundshme gjyqësore dhe parregullsive me shembjen e ndërtesës historike? Në prani të mediave të zgjedhura, të rrethuar nga blindimi i rreshtit policor, Rama, Veliaj, Margariti dhe Bjarke Ingels, mbajtën secili nga një fjalim, secili me këndvështrimin personal. Për Veliaj, një shtim vlere prone, a thua se çmimet e Tiranës kanë nevojë të rriten më, për Ramën, një halë në sy që nga 1998 kur ishte ministër kulture, për Margaritin, një rast për të treguar se Tirana po zhvillohet më vrullshëm se Italia, një shtet që rëndom përfshihet nga skandalet e tregëtive mafioze. I fundit aty, drejtori i ri i Teatrit Altin Basha, nën të cilin ranë hije dyshimi se e fitoi pozicionin pa garë e pa meritën e duhur, përmendi veç dhomat e zhveshjes për aktorët dhe asgjë më tepë. I tërë problemi i këtyre viteve tranzicion në Shqipëri na qenka çështje uji e dritash, ngrohje dhe strehe, dhe jo vjedhjeje të hapur. Bjarke ndërkohë paraqiti të njëjtin projekt si të para dy viteve, që në opinionin tim personal, është nga ndërtesat më të shëmtuara që kam parë në fazë paraprake, e zakonisht këto pas zbatimit dalin ca më keq nga plani i parashikuar.
Ndërsa doli nga rreshti i blinduar, Rama u habit nga mediat e tjera që nuk ishin lejuar të xhironin, të cilët po prisnin jashtë kordonit daljen e tij.
‘Pse po prisni, e mbaruam ne ceremoninë.’
‘Është depozituar nga Alenaca për Mbrojtjen e Teatrit një kërkesë për pezullimin e punimeve…’
‘E ça lidhje ka me mua kjo?’ tha ai.
COMMENTS