Sindikata e Minatorëve të Bulqizës denoncoi të martën gjendjen në galeritë e kromit në Bulqizë e Batër, ndërsa tha se dhjetra minatorë kishin bojkotuar punën pasi kishin muaj pa u paguar.
“Në një pjesë të madhe të minierave të Zonës D në Bulqizë, po ashtu edhe në disa miniera të Batrës, minatorët nuk paguhen prej muajsh. Pronarët justifikohen me rënien e çmimit të kromit, ndërkohë që punëtorët vazhdojnë të punojnë, kromi vazhdon të dalë prej nëntokës, të transportohet drejt Portit të Durrësit dhe të paguhen taksa për të. Të vetmit që nuk kanë marrë asgjë prej muajsh, edhe pse kanë derdhur djersë e gjak, janë minatorët!”, shkruhet në reagimin e Sindikatës së Minatorëve Bulqizë.
SMMB denoncoi mos reagimin e qeverisë për situatën e rëndë në të cilën ndodhen prandaj ato kanë bojkotuar sërish punën.
“E vetmja gjë që kanë marrë minatorët, kanë qenë premtimet e llojit “pagat do dalin më datë 15”. Kur data shkon 15, atëherë “do dalin në datën 1”. Por pagat vazhdojnë të mos dalin prej muajsh në asnjërën prej datave, prandaj punëtorët sot e kanë bojkotuar sërish punën, si në çdo fillim muaji.”, shkruhet në reagimin e SMBB në rrjetin social “Facebook”.
Beqir Duriçi, anëtar i këshillit sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës shprehet se janë shkelur për 30-të vite nga çdolloj qeverie në pushtet.
“E keqja e minatorëve nuk ka të sosur. Unë mendoj se duhet të organizohemi dhe t’i lëmë ngjyrat politike, por t’i bashkohemi qëllimit të vetëm: të ardhmes tonë dhe femijëve tanë. Të kërkojmë Statusin e Minatorit me çdo kusht, se për 30 vite jemi shkelur dhe nëpërkëmbur nga çdolloj qeverie. Mendoj se i ka ardhur fundi dhe duhet të bashkohemi të gjithë minatorët, si të Bulqizës, Krastës, Kukësit, Rubikut dhe të mbarë Shqipërisë dhe të kërkohet STATUSI. Se jemi ne ata që prodhojmë dhe po mbajmë këtë vend. Kjo është pasuri që na takon të gjithëve dhe jo një grushti oligarkësh”– përfundon Duriçi.
Sipas regjistrit të aksidenteve të mbajtur në institucionin e RISHM, rezulton se gjatë dekadës së fundit, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve në miniera. Një javë më parë, një inxhinier dhe dy punëtorë humbën jetën në galeritë e Selishtës në Dibër.
Incidentet më të shpeshta në miniera ndodhin në Bulqizë, Dibër, Pukë dhe Librazhd, ku janë shënuar disa aksidente në punë në minierat e vendit, me pasojë disa minatorë dhe punonjës të vdekur.
COMMENTS