Regjistrimi online i nxënësve nëpërmjet aplikacionit e-Albania i ka hapur rrugën krijimit të klasave të segreguara.
Proçesi i ndjekur për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë për vitin shkollor 2021-2022 jo vetëm që pati ndërlikime por ka shkaktuar shqetësim te prindërit dhe mësuesit.
Pjesa më e prekur nga kjo situatë është komuniteti Rom dhe ai Egjiptian. Prindërit shprehen të shqetësuar se nuk kanë patur mjetet dhe njohuritë e duhura për të përdorur këtë mënyrë të re regjistrimi.
Ky shërbim u ofrua për herë të parë në vendin tonë dhe kishte shumë parregullsi në adresat e qytetarëve dhe sistemi në të shumtën e kohës ishte i ngarkuar.
Sipas Ministrisë së Arsimit kjo proçedure regjistrimi do të ndalonte abuzimet e regjistrimeve sipas zonave të juridiksioneve përkatëse, por ky fakt nuk ka ndodhur.
Udhëzimet e MARS rezultuan se i dhanë hapësirë IAP-ve dhe prindërve regjistrimin e nxënësve në klasën e parë edhe jashtë zonës së banimit, e cila shkakton një shpërndarje jo të drejtë të nxënësve në shkollat 9-të vjeçare.
Organizata “Lëvizja Rinore Egjiptiane e Rome” ka evidentuar se shumë shkolla kryesisht ato me infrastukturë të mirë i mbushën kapacitetet e tyre me nxënës të mazhorancës, ndërsa të tjera me infrastukturë të amortizuar, përveÇse nuk kanë plotësuar numrin për hapjen e një klase, nxënësit e regjistruar i përkasin vetëm komunitetit rom dhe egjiptian.
Në një intervistë për Informim.al aktivisti i “Lëvizjes Rinore Egjiptiane e Rome” Ervis Çota shprehet se për shkak të nivelit të ulët ekonomik dhe edukimit të tyre këto dy komunitete nuk kanë patur mundësi të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla.”Duhet theksuar fakti që shumica e tyre nuk kanë akses në portalin e-Albania për shkak të mospasjes së mjeteve të nevojshme që kërkon ky portal për tu regjistruar.
Ka vijuar regjistrimi i maxhorancës nëpër shkolla që janë jashtë juridiksionit të tyre dhe kjo ka shkaktuar që në disa shkolla si H.Mullisi, S.Misiri, A.Paralloi dhe P.Xhuvani të formohen klasa vetëm me nxënës të komunitetit Rom dhe Egjiptian duke krijuar kushte për segregrim. Shqetësim mbetet fakti që kjo situatë do të sjellë braktisje te shkollës nga këta nxënës.”- shprehet z. Çota
Gjithashtu Z. Çota përmend për informim.al raste sporadike ku nxënës te komunitetit Egjiptian nuk jane pranuar per regjistrim nga shkolla ku mbizotëron maxhoranca,edhe pse janë pjesë e juridiksionit të asaj shkolle, duke i mënjanuar e segregruar kështu vetëm në ato shkolla ku tashmë njihen si shkolla Rome apo Egjiptiane.
COMMENTS