13 mijë familje vihen në vështirësi ekonomike nëse kanë një duhanpirës në shtëpi. Ky është konkluzioni i një studimi të realizuar nga Universiteti Illinos Chicago. Ndërkohë drejtoresha e Kujdesit Parësor të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se duhanpirja është shkaktari i dytë për vdekshmërinë në vend.
Rreth 33 mijë vdekje të hershme më pak do të ndodhnin nëse akciza e këtij produkti do të ishte mbi 8%.Në një studim të kryer nga Universiteti Illinos Chicago rezulton se rreth 60.000 individë bien në nivelin e varfërisë për shak të shpenzimeve nga duhanpirja.
Familjet, anëtarët e së cilës konsumojnë duhan, rrezikojnë të biejnë në nivelin e varfërisë. Sipas një studimi të bërë nga Illinos Chicago shpenzimet për shqetësimet shëndetësore të shkaktuara nga duhanpirja janë të larta.
Drini Imami, koordinator i projektit, thotë se në situate të vështirë ekonomike do të vihen 13 mijë familje.
“Rreth 13 mijë familje që përfshijnë 60 mijë individë nga të cilët 11 mijë fëmijë kalojnë në nivelin e varfërisë për shkak të këtyre shpenzimeve. Dhe ata që janë tashmë në nivelin e varfërisë për shkak të këtyre shpenzimeve, përjetojnë një përkeqësim të situatës së tyre.”
Ndërkohë Ketrin Zena, drejtore e Kujdesit Parësor të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se duhanpirja është shkaktari i dytë për vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë në Shqipëri.
“Duhani është shkaku i dytë kryesor për vdekshmërinë dhe barrën e sëmundshmërisë në Shqipëri. Mbetet akoma prevalenca e rritur në grupmoshën 25-35 vjeçare.”
Politikat fiskale për duhanin synojnë të ndikojnë në uljen e konsmumit të duhanit, e për pasojë edhe uljen vdekshmërisë së hershme.
Dy skenarët që propozohen është ai me 4% rritje vjetore të nivelit të akcizës dhe skenari i dytë me 8% rritje në tre vitet e para dhe 5% më pas.
“Mund të kurseheshin deri në 30 mijë vdekje për një hark kohor disavjeçar të kësaj dekade nëse do të kishim një politikë fiskale më aktive, një rritje të akcizës në nivelin mbi 8%.”
Por për shkak se Shqipëria është prekur ndjeshëm nga pandemia e Covid 19, nuk është e qartë se sa pacientë kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes për shkak të virusit SARS‑CoV‑2 e sa prej duhanpirjes.
OraNEWS
COMMENTS