Tre të mitur egjiptianë pritet të gjykohen nga Gjykata e Rrethit Tiranë me akuzën vjedhje në bashkëpunim.
Të miturit, të cilët merren me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme, për shkak të kushteve të vështira në të cilat ndodhen, morën disa copa mbetjesh të hekurave në zonën e Mbikalimit të Ri te Sheshi Shqiponja, pas mesnatës se 18 Tetorit 2020.
Qëllimi i tyre ishte që këto mbetje, vlera e të cilave ishte 5000 lekë, ti shisnin për skrap në mënyrë që të fitonin të ardhura për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre.
Pavarësisht vlerës së ulët të mbetjeve që morën, apo faktit se ata janë minorenë dhe në kushte të vështira ekonomike duket se Drejtësia Penale është efektive ndaj shtresës në nevojë dhe do i shkojë deri në fund gjykimit të tyre.
Nga 18 Tetor 2020 kur ndodhi ngjarja dhe deri në 17 Prill 2021 janë bërë hetimet dhe çështja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Rrethit Tiranë për gjykimi.
Këta të rinj që nuk kanë përfituar asnjë ndihmë, program në favor të tyre, arsimim apo trajtim shëndetësor, që janë diskriminuar dhe përjashtuar, tani duhet të përballen me ligjin dhe nesër te etiketohen si ‘vjedhës’, edhe pse janë të mitur në kushte të vështira jetese.
Prindërit e të miturve të kontaktuar nga Informim.al shprehen të shqetësuar se djemtë e tyre kanë menduar se ato janë mbetje të cilat janë jashtë përdorimit, pra e kanë humbur funksionin e tyre. “Efektivët e policisë i kanë kapur dhe u kanë sekuestruar mallin, por tani do dalin edhe në gjygj për vjedhje në bashkëpunim.”- tregon babai i njërit pret të rinjëve.
Tre të miturit do të përfaqësohen në proçese gjyqësore nga avokati i organizatës “Drejtësi Sociale”, Gentian Sejrani , i cili shprehet se çështja duhet të ishte mbyllur nga prokuroria.
“Prokuroria nuk duhet të kishte dërguar çështjen për gjykim por duhet të kishte mbyllur hetimet pasi nga ana objektive nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale “vjedhje” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Të miturit nuk kanë patur informacion se bëhet fjalë për material të firmës por i kanë parë si mbetje të riciklueshme.” – shprehet Z. Sejrani.
Gjithashtu ai thekson se, raste të tilla kur drejtësia penale reagon ashpër ndaj të varfërve janë të përsëritura. Ndaj i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të jenë të kujdesshëm në raste të ngjashme.
COMMENTS