73 vjeçari Meleq Qerimi, anëtar i komunitetit rom në zonën e Bregut të Lumit, në datën 18 shkurt të këtij muaji është arrestuar nga policia dhe shoqëruar në ambjentet e komisariatit nr 1 të Tiranës. Pasi u mbajt dy ditë në ambjentet e komisaritatit, u transferua në burgun e Reçit të Malësisë së Madhe, për të kryer dënimin 1 mujor, vendim ky i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit të Tiranës. Vendim i dhënë në mungesë, pasi zotëria ishte i sëmurë rëndë dhe e kishte të pamundur të paraqitej. Të ngjan si një lajm i kronikës, por bëhet fjalë për një dramë sociale. Familjarët e tij janë të tronditur.Njëra nga vajzat e familjes, shprehet e shqetësuar për jetën e babait të saj, për shkak se gjëndja e tij shëndetësore është shumë e rëndë.
73 vjeçari, i cili së bashku me familjen jeton në kushte të vështira ekonomike, duke mos i munguar hallet dhe vështirësitë e mëdha në jetë, Meleqi ka që prej vitit 2012 që trajtohet me medikamente mjekësore, pasi u diagnostifikua me një sëmundje të rëndë dhe për të marr frymë, ndihmohet nga një bombul e cila me anë të një tubi, përcjell oksigjenin në organet e tij të frymëmarrjes.Të ndodhur përpara kushteve të vështira ekonomike, familja e Meleq Qerimit, e kishte të pamundur të paguante energjinë elektrike.
Gjatë një monitorimit në terren, inspektorët e OSHEE, konstatojnë se kablli i furnizimit me energji elektrike, nuk kalonte nëpërmjet aparatit matës për energjinë. Për këtë arsye, u procedua dhe u dënua me 1 muaj burg.Drejtësia e munguar nga politika, dështoi të jepet dhe në sallën e gjyqit, neni 95 i ligjit nr 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” merr në mbrojtje pikërisht familjet në nevojë. Merr në konsiderate, të gjithë klientët me të ardhura të ulëta, të cilët e përdorin energjinë elektrike për vendbanimin e tyre të përhershëm.
Sipas përkufizimit të ligjit, klient në nevojë është një klient familjar, i cili, për shkak të gjendjes sociale, gëzon disa të drejta të veçanta lidhur me energjinë elektrike, të siguruara në raste përjashtimore, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ndërsa pika 1, nenit 96 të ligjit “Për sektorin e Energjisë Elektrike”, i jep të drejtën e përfitimit të shërbimit të furnizimit universal, klientëve familjarë, të cilët kanë përfituar statusin e klientëve në nevojë. Për të përfituar statusin e klientit në nevojë, duhet të plotësosh kriteret e përcaktuara nga ministritë përgjegjëse për çështjet sociale(që tashmë i janë ngarkuar Ministrisë së Shëndetësisë), asaj për energjinë elektrike, Ministrisë së Financave dhe në konsult me ERE-në e grupet e interesit.Për të përcaktuar kriteret nga ministritë përgjegjëse, neni 108, pika 1 e tij, ka ngarkuar Këshillin e Ministrave që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore. Ligji “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, ka hyrë në fuqi në vitin 2015, dhe kanë kaluar më tepër se 2 vjet nga afati prej 12 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit që i është caktuar Këshillit të Ministrave të nxjerrë vendimin me kriteret pë klientët në nevojë.
Pra, sipas këtij ligji, përgjegjësit kryesorë të dënimit të Meleqit dhe shumë të tjerëve të dënuar për energjinë elektrike, janë ministritë përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Në këtë rast, për moszbatimin e ligjeve që miratohen po prej tyre.Nëse qytetarët e Shqipërisë janë në presion të vazhdueshëm për të paguar energjinë elektrike, pasi në të kundërtën do përfundojnë në burg, atëherë edhe ligjvënësit që i kanë kthyer zyrat në kulla, duhet të ndjehen nën presion për të zbatuar ligjin ose në të kundërt të ndjejnë aromën e burgut.
COMMENTS